TIRANË-Paratë që emigrantët sjellin tek familjet e tyre në Shqipëri po vijojnë të kenë një tendencë rritjeje, teksa numri i shqiptarëve që jetojnë jashtë sa vjen e po shtohet për shkak të valës së re të emigracionit. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë në bilancin e pagesave bënë të ditur se të ardhurat nga emigrantët arritën një rekord të ri prej 1.1 miliardë euro në 2025-n, me një rritje prej 5.9% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Pas një rënieje në vitin 2020, si efekt i pandemisë, tendenca rritëse u përshpejtua dukshëm. Remitancat përfshijnë të gjitha prurjet monetare që emigrantët dërgojnë drejt familjeve dhe individëve rezidentë në Shqipëri, si përmes kanaleve formale (bankat, institucionet financiare dhe operatorët e transfertave), ashtu edhe përmes vlerësimeve të prurjeve informale.
/ZËRI