
BERAT- Janë publikuar pamjet e momentit kur autorët vendosin lëndën plasëse në derën e një lokali në lagjen "Çlirim" në Berat. Lënda plasëse ka shpërthyer në derën e lokalit në pronësi të Sali Fetiut babait të Asllan Fetiut, administratori i një prej bizneseve të Klodian Allajbeut të Spitalit Amerikan. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Siç edhe duket nga pamjet e siguruara nga ZËRI, tritoli është hedhur nga një mjet tip "BMW" që ka qenë në lëvizje. Mjeti afrohet pranë lokalit të Sali Fetiut rreth orës 03:58 dhe ndalon para derës për vetëm disa sekonda. Duket qartë që nga mjeti nuk zbret askush, por nga xhami i pasagjerit, hidhet lënda plasëse. Pasi ka kryer atë që duhet të bënte, mjeti ikën nga vendi i ngjarjes, dhe vetëm pak çaste më vonë, dëgjohet shpërthimi. Për shkak se autorët nuk kanë dalë nga mjeti, është e vështirë që të identifikohen, por dyshohet se janë më shumë se 2 persona. Një detaj që mund t'i zbulojë janë targat e mjetit dhe itinerari që është kryer, por sërish mund të jenë të vjedhura dhe të vendosura vetëm për të humbur gjurmët. Që nga dita e shpërthimit dhe deri sot, Policia po heton disa pista, por ende nuk ka emra për këtë ngjarje. Asllan Fetiu administrator i “AnaMark”, është ende në kërkim nga policia pasi në mars të këtij viti, qëlloi me thikë në bark një të moshuar në ambientet e një lokali në lagjen "Çelepias". Fetiu është futur në lokal me thikë në dorë dhe ka kërkuar një person me precedentë penalë, të quajtur Fatjon Azizolli, por i moshuari i ka thënë se ai nuk ndodhej aty dhe ka kërkuar ta nxjerrë jashtë. Në konfrontim e sipër, 37-vjeçari ka qëlluar me thikë 85-vjeçarin.
/ZËRI