
TIRANË- Kandidatët e Partisë Demokratike Ilir Alimehmeti, Mimoza Hajdarmataj dhe Lisandër Hoxha kërkuan rinumërimin e votave të tyre në Tiranë. Secili me argumentin e tij, kërkonin që të rinumëroheshin votat, qoftë edhe për ndonjë gabim të bërë nga numëruesit ditën e procesit. Por, një natë më parë janë ‘tradhëtuar’ po nga partia e tyre, Partia Demokratike. Dje u mblodh KAS dhe në mbyllje të mbledhjes, rrëzoi kërkesën e kandidatëve me 4 vota pro dhe vetëm 1 kundër. Anëtarët e KAS vendosën se katër kandidatët, Ilir Alimehmeti, Mimoza Hajdarmataj, Lisandër Hoxha dhe Ilirjana Kuçana, nuk mund të legjitimohen si palë ankuese për kërkesat për rinumërimin e votave të tyre.
Vetëm përfaqësuesi Ilir Rusmali votoi pro, që kandidatët të kishin të drejtën për të kërkuar rinumërimin e votave të tyre. Ndërsa përfaqësuesit Koli Bele e Elvin Lako nga PS dhe Ledio Braho e Elvis Çefa nga PD, ishin kundër. Ata argumentuan se sipas Kodit Zgjedhor ankimin mund ta bëjë vetëm subjekti politik dhe jo kandidati. Pas këtij vendimi, mjeku Ilir Alimehmeti tha se kanë krijuar një artificë me qëllim për të rrëzuar kërkesat e tyre. Ilirjana Kuçana u shpreh se ka prova që vota e saj është tjetërsuar dhe se do ta çojë betejën e saj deri në fund./ZËRI