Ekonomi

Paqe me biznesin, tension me qytetarët? Ekspertët kritikojnë “Paqen Fiskale”

Sipas qeverisë, “Paqja Fiskale” synon një marrëveshje vullnetare mes bizneseve dhe tatimeve, për të rritur bashkëpunimin dhe për të ulur konfliktet.

Loreta Koleci
Paqe me biznesin, tension me qytetarët? Ekspertët kritikojnë
sokol meksi-Zef Preçi

TIRANË- Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 75 vota pro projektligjin “Për Paqen Fiskale”, pjesë e paketës fiskale për vitin 2026.

Sipas qeverisë, “Paqja Fiskale” synon një marrëveshje vullnetare mes bizneseve dhe tatimeve, për të rritur bashkëpunimin dhe për të ulur konfliktet. Ajo zbatohet për bizneset me mbi 14 milionë lekë xhiro vjetore dhe parashikon një tatim pagimi për vlerën e shtuar, në këmbim të më pak kontrolleve. Nisma ishte një nga premtimet e fushatës zgjedhore të Edi Ramës gjatë vitit 2025. E ndjekim!

 “Në mandatin e katërt ne do të kemi një ‘Paqe Fiskale’ të negociuar me biznesin. Një instrument i njohur që nga kohët shumë të vjetra. Do t’i propozojmë biznesit, qysh në qershor, një marrëveshje paqeje të negociuar fiskale për një periudhë trevjeçare. Kjo është një paqe që nënkupton edhe fundin e çdo lloj inspektimi tek biznesi, çdo lloj kontrolli dhe çdo lloj minute të harxhuar për kontrolle, bazuar mbi marrëveshje paqeje.”- shprehej Rama.

Shtyllat kryesore të Paqes Fiskale janë: falja e detyrimeve të vjetra fiskale, skema e kompensimit 10% për fermerët, rregullimi i parasë cash dhe futja e terminaleve POS, si dhe rikthimi i tatimit 15% për sektorin IT.

Por ligji ka ngjallur reagime të forta. Bashkimi Europian, FMN dhe Dhoma Amerikane e Tregtisë paralajmërojnë rrezik për disiplinën fiskale, konkurrencën e ndershme dhe pastrimin e parave. Ndërsa shumica parlamentare e sheh këtë nismë si një hap drejt normalizimit të marrëdhënieve mes shtetit dhe biznesit.

Por a do të ketë vërtet paqe mes shtetit dhe bizneseve apo ky është një precedent i rrezikshëm?

Për të kuptuar më mirë pasojat reale të kësaj nisme, mënyrën se si ajo lexohet nga ekspertët dhe rrezikun që mund të sjellë për financat publike dhe shtetin ligjor, ZËRI ka marrë mendimin e ekspertëve të ekonomisë dhe shkencave politike.

“E vërteta është që qytetarët shqiptarë, biznesi shqiptar, taksapaguesit shqiptarë, por edhe institucionet financiare ndërkombëtare sot nuk e dinë se kush është nismëtari, kush e inicioi këtë lëvizje, këtë masë, këtë politikë fiskale. Ajo që mua dhe shumë të tjerë na shqetëson është e para mungesa e transparencës, do të thotë që kur ndërmerren politika të tilla sillen argumentet pro dhe kundër dhe secila palë e interesuar merr sinjalet e duhura, do të thotë që biznesi kupton se çfarë duhet të bëjë dhe qytetarët po kështu, shtrëngojnë rripin në këtë rast sepse ka më pak para për arsimin, shëndetësinë etj. Njëkohësisht të tjerët kuptojmë që kjo është një masë që merret një herë dhe hidhet çelësi në det, sepse për një gjeneratë 20-30 vite nuk përsëriten masa të tilla. Për fat të keq ky konsultim ka munguar.” - shprehet eksperti i ekonomisë Zef Preçi.

Paqja fiskale është prezantuar si mundësi për reforma, por kritikët e konsiderojnë si instrument politik apo “pazar” me klientët e qeverisë. Nisur nga kjo, si mendoni se duhet të interpretohet koncepti i “paqes fiskale”?

“Shteti në thelbin e vet është një shtet fiskal. Pra funksionimi i shtetit varet nga aftësia e tij tagrambledhëse. Por funksionet tagrambledhëse të shtetit kanë një ndikim të madh në shoqëri, janë njëkohësisht edhe ndikim i grupeve shoqërore. Në rastin e Shqipërisë, në qoftë se shikojmë këtë politikë konkrete, pra këtë masë konkrete që është marrë nga qeveria, mendimi im personal është që kemi të bëjmë me një rast tipik ku kapaciteti shtetëror është i kufizuar, i kufizuar sepse shteti nuk ka pasur fuqi që të impononte politikat e veta fiskale grupeve të fuqishme të interesit, pra mund të themi që është një dorëzim i shtetit përballë grupeve të fuqishme të interesit.” -shprehet lektori i Shkencave Politike, Sofokli Meksi.

Sipas ekspertëve, një nga problematikat kryesore të kësaj nisme lidhet me mungesën e transparencës dhe rrezikun e krijimit të marrëveshjeve selektive mes shtetit dhe bizneseve të caktuara. Pikërisht këtë shqetësim ngre edhe z. Preçi i cili paralajmëron se pa kritere të qarta dhe informacion publik, “Paqja Fiskale” mund të kthehet në një instrument që favorizon interesat e forta ekonomike.

“I kemi lënë në dorë individëve të përcaktojnë një marrëdhënie okulte sepse mospublikimi i listës së bizneseve përfituese dhe mospublikimi i pritshmërive të parave që do të mblidhen plus ose shtesë në buxhetin e shtetit lë hapur pikërisht këtë mundësi që individët të negociojnë, pra është një marrëveshje e mbyllur mes individësh pa transparencën e duhur dhe që në thelb ushqen paligjshmërinë. Me këtë masë qeveria e ka vendosur veten në anën e lobistëve, oligarkëve, sepse kush krijon evazion në këtë vend? Ata që tolerohen. Kush janë? Bizneset që qëndrojnë pas politikanëve dhe dikush që fiton mijëra euro në muaj fitim. Janë me dhjetëra kompani të mëdha të cilat kanë detyrime karshi shtetit, sepse evazionin nuk e krijojnë shitësit e rrugës, nuk e krijojnë dyqanet e vogla të lagjeve, e krijojnë pikërisht këto që kanë mbështetje politike etj.” -tha eksperti i ekonomisë.

A mund të shpjegoni sesi një instrument si paqja fiskale reflekton mënyrën se si shteti percepton dhe trajton detyrimet fiskale të qytetarëve?

“Në rastin e politikave fiskale të shtetit kemi një projektim të fuqisë së grupeve të ndryshme politike në shoqëri. Pra, parë në aspektin politik, politikat fiskale janë treguesi i fuqisë së grupeve të ndryshme. Në qoftë se kemi politika fiskale të cilat anojnë nga taksat indirekte, anojnë nga aftësia e kufizuar fiskale, ky është një tregues indirekt i fuqisë së grupeve të biznesit, sidomos i grupeve të mëdha të biznesit dhe dobësisë së shtetit para tyre.” - tha ndër të tjera Sofokli Meksi.

Nëse do të kishit mundësi t’i rekomandonit qeverisë 3 masa konkrete për të përmirësuar këtë nismë, cilat do të ishin këto?

“Unë personalisht jam kundër ndërmarrjes së amnistive në tërësi. Po të ishte për mua, gjëja e parë duhet hequr të gjitha lehtësirat fiskale që iu janë dhënë oligarkëve, që iu janë dhënë bizneseve të mëdha, që iu janë dhënë investitorëve strategjikë. Heqja e lehtësirave do të ishte një mënyrë që e bën vendin më konkurrues. Së dyti, ka nevojë të kuptojmë që duhet të filtrojmë më mirë investimet e huaja. Kjo është paqja e vërtetë, domethënë zbatimi i kuadrit ligjor, një kuadër ligjor që mundëson që gjithkush, çdo biznes dhe individ të gëzojë frutet e mundit dhe të djersës së vet, kapitalit të vet, që avancon është pikërisht paqja më e dëshirueshme dhe më e rëndësishme sesa emra tërheqës që në thelb shërbejnë vetëm për një grusht biznesmenësh, një grusht oligarkësh, një grusht lobistësh, një grusht politikanësh vendas dhe të huaj dhe që në thelb nuk çojnë në shtimin e të mirave publike.” - u shpreh për ZËRIN, Preçi.

Kritikat ndaj “Paqes Fiskale” nuk kufizohen vetëm te transparenca, por shtrihen edhe te rreziku që reforma të përdoret për interesa të caktuara. Sipas lektorit të Shkencave Politike, politika të tilla fiskale mund të keqinterpretohen ose të diktohen nga grupe të veçanta interesi.

“Ka pasur akuza edhe në rastin e reformës aktuale fiskale. Akuza më e rëndë është ajo e pastrimit të parasë, heqjen nga sistemi, futjen në sistem ose e bërjes së saj me porosi nga grupe të caktuara. Por në kushtet e dobësisë shtetërore, në kushtet që thamë edhe pak më përpara të një dobësie të shtetit karshi grupeve të caktuara të interesit, kjo mund të interpretohet shumë lehtë, siç ka ndodhur në rastin e kësaj reforme, si një politikë me porosi.” - tha Meksi.

Në përfundim, eksperti Preçi thekson se debati për “Paqen Fiskale” shkon përtej një marrëveshjeje teknike mes shtetit dhe biznesit dhe lidhet drejtpërdrejt me besimin e qytetarëve te institucionet dhe drejtësia fiskale në vend.

“Unë nuk besoj që mund të ketë paqe midis atyre që kontribuojnë në tatime e taksa dhe atyre që mbledhin kontributet e tatimeve dhe taksave. Paqja më e madhe është të krijohet mundësia që në Shqipëri të mund të jetojnë shqiptarët që janë këtu dhe shqiptarët që kanë marrë rrugët e botës.”- përfundon eksperti Zef Preçi.

Mbetet për t’u parë nëse “Paqja Fiskale” do të arrijë të krijojë një marrëdhënie më të qëndrueshme mes shtetit dhe biznesit, apo nëse do të thellojë debatet për drejtësinë fiskale, transparencën dhe barazinë para ligjit./ZËRI

Poll

MOS HUMB