
TIRANË- Rayyan Alwan, e reja nga Palestina që u gjet e vrarë në Tiranë më 27 shkurt, rezulton të jetë masakruar me thikë nga babai i saj. Dokumentet që kanë mbërritur nga Interpoli për Policinë e Tiranës konfirmojnë se Fadi Alwan, i cili është shpallur në kërkim për vrasjen e 24-vjeçares, në fakt është babai i saj dhe jo partneri, siç u raportua fillimisht. Ndërkohë Interpol është duke ndjekur gjurmët e 49-vjeçarit Fadi Alwan, i cili dyshohet se fshihet në Liban. Duke qenë se trupi i të resë u zbulua disa ditë pasi ishte vrarë, ai ka pasur mundësi të largohej nga vendi. Konkretisht, nga Tirana, shkoi në Athinë dhe nga Athina në Amsterdam ku dhe është zhdukur pa lënë gjurmë. Nga ana tjetër, asnjë nga familjarët nuk është interesuar për të tërhequr kufomën e të resë. E paqartë është edhe arsyeja se përse babë e bijë kanë ardhur në Tiranë. Nga këqyrja e kamerave të sigurisë, ka rezultuar se komunikimet në aeroport apo tek shtëpia që kishin marrë me qira i kryente vetëm i ati, pasi 24-vjeçarja nuk fliste fare. Por gjithashtu bie në sy fakti, se gjatë gjithë kohës të dy prezantoheshin si çift dhe jo si babë e bijë. Media holandeze, "De Telegraaf", shkruan se e reja dyshohet dhe të jetë abuzuar seksualisht nga i ati para se të vritej. Megjithatë, këtë detaj mbetet që ta verifikojë ekspertiza mjeko-ligjore që do të bëhet nga autoritetet shqiptare.
/ZËRI