TIRANË- Komunikimet e siguruara nga platforma e koduar SKY ECC kanë zbuluar detaje të reja mbi mënyrën se si anëtarët e një rrjeti kriminal të trafikut ndërkombëtar të kokainës menaxhonin dhe fshihnin fitimet e tyre. Në krye të grupit dyshohet se qëndron Salvadore alias Shpëtim Aliu. Ky i fundit dyshohet se ishte furnitori kryesor me kokainë i grupeve të drejtuara nga Eldi Dizdari, Dritan Gjika e Armando Pacanit. Salvadore merrej me trafikun, ndërsa për pastrimin e parave të kokainës kishte angazhuar vëllain e tij Isa Aliun. Në bisedat e zhvilluara në gusht të vitit 2020 mes vëllezërve flitet për shuma miliona euros të siguruara nga aktiviteti kriminal. Në një prej komunikimeve, Isa Aliu shprehet se kishte në dispozicion rreth 6 milionë euro cash. Shpëtim Aliu i komunikon vëllait se pritej të siguroheshin edhe 20 milionë euro të tjera, ndërsa diskuton me të edhe mënyrat për fshehjen e shumave të mëdha të parave. Sipas hetimeve, një nga metodat e përdorura ishte groposja e parave në tokë, të futura në fuçi plastike me kapacitet 50 litra. Nga verifikimet e kryera, SPAK dyshon se Isa Aliu ka marrë të paktën 30 milionë euro nga vëllai i tij dhe se këto para janë investuar më pas kryesisht në sektorin e ndërtimit.
/ZËRI