TIRANË- Partitë kryesore politike në vend, PS dhe PD, kanë nxjerrë për konsultim publik draftin e ri për projekligjin për “Financimin e partive politike”, në kuadër të Reformës Zgjedhore si dhe procesit të integrimit europian. Projektligji synon rritjen e transparencës, duke detyruar partitë të raportojnë financat gjatë gjithë vitit, jo vetëm në fushata zgjedhore. Për monitorimin dhe zbatimin e këtij ligji, institucioni përgjegjës do të jetë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Ligji përcakton qartë burimet e lejuara të financimit, si kuotat e anëtarësisë, donacionet, fondet nga buxheti i shtetit dhe huatë, ndërsa ndalon financimet nga subjekte të huaja, kompani të cilat kanë përfituar kontrata publike, donatorë anonimë apo individë të dënuar për krime të rënda. Ndërsa formula për buxhetin e shtetit mbetet e njëjtë.
Një risi në këtë projekligj është edhe financimi i grave dhe të rinjve në stukturat e partive politike me një grant prej 5% nga Fondi Publik, i cili do të hyjë në fuqi nga 1 janari i vitit 2027.
Por ky draft nuk ka kaluar pa kritika nga shoqëria civile dhe aktorë të tjerë politikë. Ku qëndrojnë partitë e reja politike në këtë draft? Cilat janë kritikat e tyre dhe zgjidhja për një draft më të mirë? Cila është kritika e organizatave të shoqërisë civile për këtë draft? Le t’i pyesim!
ZËRI pyeti 3 përfaqësues nga partitë e reja, Erald Kaprin nga Partia MUNDËSIA, Dorina Prethin nga Partia Shqipëria Bëhet dhe Arlind Qorin nga Partia Lëvizja BASHKË.
Për deputetin e partisë MUNDËSIA, Erald Kaprin problem kryesor në draft është pikërisht transparenca dhe vendosja e penalizimive të lehta për ata që financojnë një parti politike. Sipas Kaprit në qoftë se nuk ka transaparencë për shpenzimet e partive nuk do të zgjidhet problemi, por do të mbajë zvarrë procesin për të mbajtur në skenën politike dy partitë e mëdha, PS dhe PD.
"I gjithë drafti i prezantuar dhe në Komisionin e Reformës, po edhe pjesë e konsultimit, nuk ndryshon asgjë në thelb nga çfarë kemi pasur më parë. Pra, bëjnë lëvizje të vogla të cilat nuk japin zgjidhje shumë problemeve që kanë të bëjnë me financimin e partive politike.
Dhe problemi kryesor në financimin e partive politike është transparenca. Në qoftë se ne thjesht vendosim disa kritere pak më të forta për dhuruesit e partive dhe ndërkohë nuk kemi vendosur asnjë penalizim për këdo para të pista, për këdo oligark, për këdo pronar mediash që në një formë ose në një tjetër financon partitë politike fshehtas dhe sipas draftit të ri dhe mund ta bëjë, madje dhe po të zbulohet, gjobitet në mënyrë formale të vogël, nuk mban përgjegjësi penale. Pra, këto nuk kanë pikë vlere.
Pra, përderisa ne nuk kemi transparencë për shpenzimet, këto drafte të cilat bëjnë vetëm thjesht rregullime minore nuk e zgjidhin fare problemin e financimit të partive politike, përkundrazi kërkojnë ta mbajnë zvarrë në mënyrë që PD-ja dhe PS-ja të vazhdojnë të dominojnë skenën politike."-tha Kapri për ZËRI-n.
Dorina Prethi kritikon draft-ligjin për financimin e partive politike, duke thënë se nën pretekstin e transparencës po propozohen masa që dëmtojnë veçanërisht partitë e reja dhe përfaqësimin qytetar.
“Ajo që shoh problem në legjislacion, në draftin e propozuar, është që nën maskën e transparencës po fshihen propozime të cilat shkojnë në dëm të veçanërisht të përfaqësimit qytetar, veçanërisht të partive të reja. Sepse partitë e mëdha kanë një buxhet të konsoliduar nga fondi publik që ka akorduar buxheti i shtetit dhe si rrjedhim ato impaktohen shumë pak.
Ndërkohë që partitë e reja, duke kufizuar, siç është kërkuar që të kufizohet të ardhurat, të tatohen të ardhurat, që është një jo vetëm një padrejtësi shumë e madhe që u bëhet partive politike, por është një gafë, për mendimin tim, konsideruar këtu edhe legjislacionin europian, Bashkimin Europian apo konventat europiane për të drejtat politike."- tha Prethi.
Arlind Qori e kritikon draftin duke thënë se sanksionet janë shumë të dobëta, pasi gjoba 100.000 lekë nuk dekurajon financimin e paligjshëm të partive dhe lejon ndikimin e parave të pista në politikë pa pasoja reale.
"Në parim sa herë PD-ja dhe PS-ja bëhen bashkë, bëhen për keq. Kemi një draft të ligjit për financimin e partive politike, që në këndvështrimin tim, është tejet problematik për disa arsye. E para sepse sanksionet nuk janë serioze. Sanksioni na thotë drafti i propozuar nga PS-ja dhe PD-ja është një gjobë maksimalisht prej 100.000 lekësh të reja. Pra, ti mund ta financosh një parti në mënyrë krejtësisht të paligjshme, 200 milionë lekë të reja, vetëm do paguash një gjobë 100.000 lekë të reja maksimalisht. Tani kush financon një oligark apo një biznesmen që administron para pista, kush ka ndërmend të hedhë kaq shumë para në parti politike, nuk e ka për gjë një gjobë prej 100.000 lekësh të reja në vit. Dhe ç'është më e keqja, partia që i merr këto para nuk ka detyrim t'i kthejë mbrapsht. Ligji nuk shërben për të vendosur sanksione shkurajuese."- u shpreh ai.
Fondi 5% për barazinë gjinore! Ndahen qëndrimet mes politikës dhe shoqërisë civile
Përfaqësues të shoqërisë civile e konsiderojnë këtë hap si pozitiv, por të pamjaftueshëm për të sjellë ndryshime reale në përfaqësimin gjinor. Nga ana tjetër, partitë e reja politike e shohin këtë mekanizëm me skepticizëm, duke ngritur dyshime për efektivitetin e tij dhe mënyrën e shpërndarjes së fondeve.
Irena Beqja, drejtuese projekti pranë UN Women Shqipëri thotë për ZËRI-n se se vendosja e një fondi prej 5% për barazinë gjinore përbën një hap të parë pozitiv, pasi për herë të parë financimi publik i partive adreson këtë çështje, si edhe përfshirjen e të rinjve. Megjithatë, ajo thekson se kjo përqindje mbetet e pamjaftueshme dhe e kufizuar në aspektin financiar, duke mbështetur kryesisht aktivitete afatshkurtra dhe pa garantuar qëndrueshmëri financiare për gratë brenda subjekteve politike.
"Në fakt duhet të pranojmë që është një hap i parë pozitiv dhe është hera e parë që financimi publik i partive adreson barazinë gjinore, por dhe përfshirjen e të rinjve. Ajo që duhet të themi është që është e pamjaftueshme kjo përqindje dhe kjo sasi buxhetore. Së pari, mbetet e kufizuar dhe në terma financiarë, sepse arrin të mbështesë vetëm aktivitete afatshkurtra dhe nuk arrin dot të shkaktojë qëndrueshmëri në çfarë pritet të bëhet me këtë buxhet. Dhe ajo që është shqetësuese është që janë bashkuar dy prioritete në një, pra këtu flasim për gratë dhe të rinjtë, që të dyja janë shtylla shumë të rëndësishme brenda partive, por që idealisht nuk do të duhet bashkoheshin në një fond të përbashkët."- tha Beqja.
Erald Kapri e kundërshtoi idenë e kuotave dhe e konsideron fondin të ulët dhe të parëndësishëm:"Personalisht nuk besoj tek kuotat. Nuk jo vetëm ideologjikisht, por edhe si qasje. Madje sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ne kemi qenë partia politike me më shumë gra dhe vajza në listë. Madje në pesë qarqet të mëdha drejtoheshin listat nga gra dhe zonja. Pra kjo është qasja që duhet të kesh. Qasja e financimit pastaj unë mendoj që është disi nihiliste. Po pse 5%? Kaq pak meritojnë gratë dhe të rinjtë? Pra është thjesht diçka edhe për të shmangur vëmendjen nga problemet reale të draftit."
Dorina Prethi e quajti fondin 5% për barazinë gjinore “qesharak” dhe jo serioz: "Ky fond është qesharak, absolutisht nuk është serioz nga ana e tyre. Të mos harrojmë që është 5% e fondit të plotë publik, por në fund ky 5%-sh do ndahet sërish me formulën 70-20-10. Pra, ky fond do t'u shkojë sërish partive të mëdha politike. E përsëris që i gjithë drafti duhet goditur fuqishëm nga të gjitha partitë e vogla apo të mëdha, apo të spektri opozitar absolutisht. Nga të gjithë organizmat ndërkombëtarë dhe nga organizatat e shoqërisë civile, sepse është një draft që cenon në thelb pluralizmin politik."
Arlind Qori e vlerësoi në parim fondin, por shpreh shqetësimin se partitë mund ta përdorin vetëm për përfitime financiare: "Në parim është një vendim i dobishëm. Frika ime është që shumica e partive në Shqipëri, duke e shpërfillur tërësisht çështjen gjinore, duke mos e respektuar kontributin e grave në shoqëri dhe të drejtat e barabarta që gratë duhet të gëzojnë me burrat, do ta përdorin këtë si mekanizëm vetëm për të përfituar ca para më shumë."
Partia MUNDËSIA është pjesë e komisionit për reformën zgjedhore, aty ku pritet të diskutohet dhe drafti për financimin e partive politike të propozuar nga dy partitë e mëdha. Kapri tha për ZËRI-n se partia MUNDËSIA e ka bojkotuar këtë komision, pasi sipas tyre procesi është një farsë.
"Pavarësisht se na është lënë një vend në Komisionin e Reformës Zgjedhore, ne kemi refuzuar të shkojmë dhe të marrim pjesë në këtë farsë, sepse e shikojmë që nuk ka besim. Kemi zgjedhur që të zgjedhim tematika të veçanta ku mund të vëmë të diskutojmë edhe mund të japim një kontribut, siç është pjesa e financimit të partive. Ndodhemi në një klimë totalisht mosbesuese, ndonëse në një lloj paqeje PD-PS, sepse mesa duket kanë arritur një dakordësi. Dhe dakordësia e vetme që ata kanë është që të mbajnë njëri-tjetrin, të mbajnë duopolin dhe shikojnë kërcënim partitë e reja."- tregoi ai.
Shqipëria Bëhet ka gati propozimet për drafin e ri për financimin e partive. Dorina Prethi thotë se një nga ndërhyrjet kryesore duhet të jetë heqja e menjëhershme e tatimit mbi të ardhurat e partive politike, duke argumentuar se një praktikë e tillë nuk aplikohet në vende të tjera dhe cenon funksionimin normal të subjekteve politike.
Një tjetër rekomandim i Shqipëria Bëhet lidhet me ruajtjen e pandryshuar të tavanit të kontributeve individuale në periudhë njëvjeçare, për të shmangur kufizime të reja që mund të ndikojnë negativisht në financimin e partive, veçanërisht atyre më të vogla.
"Propozimi ynë është duhet të hiqet në mënyrë kategorike tatimi i të ardhurave të partive politike. Nuk mund të tatosh të ardhurat. Askund në botë nuk ndodh të tatohet një parti politike, pra kjo duhet absolutisht duhet hequr menjëherë. Rekomandimi tjetër është të mos ndryshohet fasha tavani e kontributit të individit në periudhën njëvjeçare.
Nga ana tjetër, një propozim shumë delikat është edhe propozimi i publikimit të të dhënave të donatorëve. Së pari sepse duke kontribuar ti tregon bindjen tënde politike. Dhe jemi në një kontekst në Shqipëri ku në momentin që ti tregon bindjen tënde politike, rrezikon që të intimidohesh, të presionohesh apo të kesh pasoja në profesion, në punë apo në familje. Ne do të propozojmë që të ketë një fashë ku nuk e detyron qytetarin të publikojë domosdoshmërisht të dhënat e tij, sepse kjo e ekspozon shumë votuesin duke e dekurajuar."- tha Prethi.
Kreu i Lëvizjes BASHKË Arlind Qori kërkon ashpërsim të rregullave për financimin e partive politike, duke propozuar vendosjen e tavaneve të qarta për kontributet nga individët dhe kompanitë, si dhe sanksione të forta penale deri në burg për rastet e financimit të paligjshëm. Ai sugjeron gjithashtu ndalimin e financimeve jo vetëm nga përfituesit e kontratave publike, por edhe nga ata që marrin leje ndërtimi apo zotërojnë media.
"Ne kërkojmë që në ligjin për financimin e partive politike të vendosen tavane që respektohen të financimit të individëve, të kompanive për partitë politike. Të ketë sanksione të forta penale, të rrezikojnë burgun drejtues të partive apo përfaqësues të tjerë partie në rast se partia financohet dukshëm në mënyrë të paligjshme. E treta, jo thjesht përfituesit e statusit të investitorit strategjik apo të kontratave koncesionare me shtetin që nuk duhet të financojnë partitë politike, po as përfituesit e lejeve të ndërtimit, as pronarët e mediave. Dhe mbi të gjitha kërkojmë që institucionet ligjzbatuese, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, jo vetëm Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, edhe SPAK-u, edhe organet e tjera ligjzbatuese të kenë pavarësinë dhe fuqinë e mjaftueshme për të bërë hetime pasurore të atyre që i financojnë partitë politike."-tha Qori.
Irena Beqja nga UN Women Shqipëri thekson nevojën për rritjen e financimit të dedikuar për gratë (më shumë se 5%) dhe ndarjen e tij nga ai për të rinjtë. Ajo propozon gjithashtu raportim financiar sipas gjinisë, vendosje sanksionesh për moszbatim dhe një rol më aktiv të KQZ-së në monitorim dhe transparencë.
"Në fakt bashkë me një grup organizatash kombëtare ndërkombëtare jemi ulur dhe kemi menduar se si të rekomandojmë disa masa konkrete të cilat janë të zbatueshme bazuar dhe në praktika ndërkombëtare. Masa e parë dhe kryesore lidhet me dhe me ndryshimin kryesor në këtë ligj, që është pra financimi i dedikuar dhe për barazinë gjinore. Dhe ajo që ne kërkojmë është që ky financim të jetë më i qenësishëm, jo vetëm 5% dhe të jetë i dedikuar jo për gratë dhe përfshirje të të rinjve, por vetëm për gratë. Dhe të rinjtë të kenë një buxhet veçmas në mënyrë që të dyja këto shtylla të mund ta adresojnë ashtu siç duhet. Një nga masat tjetër është detyrimi për raportim financiar sipas gjinisë, në mënyrë që ne të dimë sa nga këto fonde shkojnë realisht për gratë. Kërkohet gjithashtu që një nga masat të jetë marrja e sanksioneve në qoftë se detyrimet nuk zbatohen. Dhe sigurisht një gjë që ne e shikojmë të rëndësishme është përfshirja më proaktive e KQZ-së në monitorimin e përdorimit të buxhetit, por edhe në publikimin e të dhënave që vetë partitë të informohen, po edhe publiku i gjerë të dijë se ku shkojnë këto para dhe sa realisht shkojnë për atë që janë targetuar."-tha Beqja.
Reagimet nga partitë e reja dhe shoqëria civile tregojnë se shqetësimet kryesore në këtë draft lidhen me mungesën e sanksioneve të forta, përfshirjen gjinore, rrezikun e favorizimit të partive të mëdha dhe kufizimet që mund t’u vendosen subjekteve të vogla politike./ZËRI