
TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha ka kërkuar që ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka të flasë më tepër në lidhje me atë që gjendet në celularin e deputetes Monika Kryemadhi, që mund të zbërthejë aferën e inceneratorëve. Pasi Koka deklaroi në sallën e gjyqit se nuk është ai ‘peshku i madh’ i inceneratorëve, Berisha u shpreh nga dritarja e banesës së tij se me këto fjalë ish-Ministri nënkuptonte qartë që në krye të aferës qëndron vetë kryeministri Edi Rama dhe se skema mund të zbërthehej nga mesazhet e shkëmbyera mes Kryemadhit dhe kreut të qeverisë. Nga ana tjetër, Kryemadhi ka thënë se Rama ka urdhëruar kreun e SPAK, Altin Dumani të fshijë mesazhet mes tij dhe deputetes. Por, Berisha kërkon që si Kryemadhi ashtu edhe Koka të tregojnë se me ç’rast i dhuruan Ramës 460 mijë eurot e aferës së inceneratorëve. Në të kundërt, kryedemokrati paralajmëron se do të flasë vetë, shumë hapur!