TIRANË- Ben Blushi u rikthye tek lexuesit me librin e tij më të ri, “Jam Mysliman”, të cilin e gjeni në Panairin e Librit. Ky roman që nuk ka kaluar pa bërë zhurmën e tij, ku shumë persona e kanë cilësuar si provokativ apo kundër besimit fetar islam. Por ne e pyetëm Blushin përtej kësaj zhurme, se cili është mesazhi që do të përciellë ai përmes kësaj vepre. Autori kërkon që feja të mos përdoret si përqarëse në shoqëri, pasi sipas tij në vendin tonë ka njerëz që duan ta zëvendësojnë Kushtetëutën me ligjin islamik.
“Jam Mysliman” është romani juaj më i fundit, i cili nuk ka shkaktuar polemika sa i përket emrit, por ne donim t’ju pyesnim përtej polemikave: cili është mesazhi që do donit t’ua jepnit lexuesve që ende nuk e kanë këtë libër në dorë?
“Mesazhi është që ta lexojnë fenë siç duhet dhe të mos e përdorin për të ndarë shoqërinë. Edhe Zoti, për aq sa ekziston, për ata që besojnë se ekziston nuk ka pasur qëllim ta ndajë botën në disa fe. Është fatkeqësi që fetë kanë shkaktuar kaq shumë dëm botës. Shqipëria ka pasur kohezion fetar dhe kjo është një gjë shumë e mirë që na ka mbajtur të lidhur si popull, por sot ka disa segmente të shoqërisë që janë shumë fanatike edhe unë jam kundër tyre. Edhe shpresoj që ata të mos kenë kurrë asgjë në dorë për jetën tonë. Ka njerëz në Shqipëri që duan të zëvendësojnë Kushtetutën me ligjin islamik, edhe ky libër është pikërisht kundër tyre. Ky libër merr përsipër të tregojë që myslimanët shqiptarë janë njerëz shumë liberalë dhe shumë të hapur, si ti, si të gjithë ne. Kurse një pjesë fanatikësh duan ta cënojnë këtë harmoni fetare dhe ky është libri.”- u shpreh ai.
Gjëja më e bukur ose më e çuditshme që keni dëgjuar për librin?
“Ka pasur disa njerëz që kanë bërë thirrje ta djegin, po t’i mbledhin të gjithë librat dhe t’i djegin. Mbase e bëjnë, mbase nuk e bëjnë. Ishalla e bëjnë që të shkosh e para t’i filmosh.”- tha me sportivitet Ben Blushi. /ZËRI