TIRANË-Kryebashkiaku Erion Veliaj kallëzon penalisht në Prokurorinë e Tiranës drejtoreshën e Përgjithshme të Burgjeve, Sadleva Bodo. Kallëzimi është depozituar në Prokurorinë e Tiranës nga avokati i tij, Plarent Ndreca. Sipas Veliajt, Bodo ka shpërdoruar detyrën duke e transferuar në mënyrë të paligjshme nga paraburgimi i Durrësit drejt Fierit.
Veliaj pretendon se transferimi i tij është kryer në shkelje të ligjit, duke kërkuar hetimin e përgjegjësisë së drejtueses së sistemit penitenciar për këtë vendim. Lidhur me transferimin e Veliajt, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve sqaroi se urdhri i transferimit është firmosur sipas procedurave dhe është bërë në përputhje me ligjin. Në deklaratën e zyrtare Drejtoria e Burgjeve theksoi se sa i përket urdhrit të transferimit është pjesë e dokumenteve të klasifikuara si “sekret shtetëror”.
Kryebashkiaku u transferua nga burgu i Durrësit drejt atij të Fierit më datë 28 tetor. Transferimi i kryebashkiakut ka hapur një debat politik dhe ka nxitur reagime. Shkak është bërë mungesa e një dokumentacioni lidhur me procesin dhe arsyen e transferimit të kryebashkiakut. Debati politik për transferimin e Erion Veliajt në burgun e Fierit është zgjeruar deri tek kryeministri Edi Rama.
Veliaj publikoi një letër ku pretendon se gjatë takimit, ministri i ka përcjellë 3 kërkesa që, sipas tij, vinin nga kryeministri Edi Rama, mes tyre të pranonte përfshirjen në çështjen e “Flamingove-Studentët”, të hiqte dorë nga Bashkia e Tiranës dhe t'ia delegonte atë Arbër Hajdarit, si dhe të mos këshillohej më me Plarent Ndrecën. Vetë ministri Gogu ka konfirmuar takimin me Veliaj, por ka mohuar kategorikisht se ka përcjellë mesazhet e pretenduara./ZËRI