Aktualitet

Tritoli ndaj punonjëses së Bashkisë Elbasan, arrestohen dy të dyshuar të tjerë

Ngjarja ndodhi më 5 nëntor në lagjen 28 Nëntori, ndërsa personat e ndaluar dyshohet se kanë pasur role në realizimin e sulmit.

M.K.
Tritoli ndaj punonjëses së Bashkisë Elbasan, arrestohen dy
FOTO ILUSTRUESE

ELBASAN- Hetimet për shpërthimin me tritol ndaj makinës së punonjëses së Bashkisë së Elbasanit Alba Duhanxhiu kan sjellë dy arrestime të reja. Ngjarja ndodhi më 5 nëntor në lagjen 28 Nëntori, ndërsa personat e ndaluar dyshohet se kanë pasur role në realizimin e sulmit.

Një 24 vjeçar dyshohet se ka qenë i përfshirë në vendosjen dhe shpërthimin e lëndës plasëse, në bashkëpunim me një 17-vjeçar të ndaluar më herët. Ndërsa një 29-vjeçar akuzohet se ka transportuar eksplozivin me automjetin e përdorur për ngjarjen.

Sipas hetimeve, automjeti ishte siguruar nga 43vjeçari Ervis Tivari i cili u arrestua menjëherë pas shpërthimit. Të tre personat e arrestuar së fundmi dhe më herët janë nga Durrësi.

Arrestimet janë kryer në kuadër të operacionit 'Porosia'. Policia bën me dije se hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë në ngjarje.

Njoftimi i policisë: 

Vijon operacioni policor i koduar “Porosia”, për nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të të gjithë shtetasve të përfshirë në shpërthimin me lëndë plasëse të automjetit në pronësi të shtetases A. D., më datë 05.11.2026, në lagjen “28 Nëntori”.

Lokalizohet dhe vihet në pranga bashkautori tjetër në vendosjen dhe shpërthimin e lëndës plasëse në automjet.

Gjithashtu, vihet në pranga edhe një 29-vjeçar, i cili ka transportuar lëndën plasëse me automjetin e siguruar nga njëri prej personave të ndaluar më parë.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe operacionale të kryera nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, për zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të rastit të datës 05.11.2026, në lagjen “28 Nëntori”, ku u shpërthye me lëndë plasëse automjeti në pronësi të shtetases A. D., u bë i mundur në bashkëpunim me strukturat e DVP Durrës, lokalizimi, kapja dhe ndalimi i shtetasve O. T., 24 vjeç, dhe S. P., 29 vjeç, të dy banues në Durrës.

Nga hetimet dyshohet se shtetasi O. T., në bashkëpunim me shtetasin B. H., 17 vjeç, të ndaluar më parë, janë bashkautorë në vendosjen dhe shpërthimin e lëndës plasëse në automjetin në pronësi të shtetases A. D.

Gjithashtu, shtetasi S. P. dyshohet se ka transportuar lëndën plasëse me automjetin e përdorur për kryerjen e kësaj ngjarjeje, të siguruar nga shtetasi E. T., i cili u ndalua menjëherë pas ngjarjes.

Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale të shtetasve të përfshirë në këtë ngjarje dhe identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të implikuar.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”./ZËRI

MOS HUMB