TIRANË-Në një Tiranë ku dëmtimi i semaforëve dhe kamerave gjatë protestave të fundit nuk duket se ka sjellë ndonjë kaos të ri në trafik, një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) tregon se sistemi i menaxhimit të qarkullimit kishte probleme serioze edhe më parë.
Sipas auditimit, më shumë se gjysma e kamerave të monitorimit nuk transmetonin pamje, një pjesë e semaforëve nuk ishin të integruar në sistemin qendror, ndërsa investimet për përmirësimin e transportit dhe qarkullimit rrugor kanë mbetur ndjeshëm larg planeve.
Raporti i KLSH-së, që shqyrton periudhën 2023–2025, evidenton gjithashtu mangësi në transportin publik, vonesa në projektet infrastrukturore dhe probleme në monitorimin e shërbimeve urbane.
Sipas audituesve, masat e ndërmarra nga Bashkia e Tiranës janë zbatuar pjesërisht dhe nuk kanë arritur të sigurojnë përmirësimet e synuara në lëvizshmërinë urbane.
Mbi gjysma e kamerave të trafikut jashtë funksionit
Nga 71 kamera të instaluara për monitorimin e trafikut në kryeqytet, 40, ose 56.3%, nuk transmetonin pamje gjatë verifikimit të KLSH-së më 1 korrik 2026, përpara dëmtimeve të fundit gjatë protestave.
Për 11 kamera, ndërprerja e transmetimit kishte zgjatur nga dy deri në shtatë vjet, ndërsa 14 të tjera kishin qenë jashtë funksionit për periudha nga një deri në shtatë muaj. Sistemi i kamerave ishte plotësuar nëpërmjet një kontrate të vitit 2021, me vlerë rreth 59.9 milionë lekë.
Auditimi konstatoi gjithashtu se platforma qendrore për shfaqjen e njëkohshme të pamjeve nuk funksiononte. Operatorët i monitoronin kamerat individualisht në kompjuter, ndërsa 10 semaforë nuk ishin integruar në sistemin qendror.
Edhe gjashtë pajisjet elektronike për informimin e drejtuesve të automjeteve rezultuan jashtë funksionit. Sipas KLSH-së, këto probleme kufizojnë kapacitetin e Qendrës së Kontrollit dhe Menaxhimit të Trafikut për monitorimin e qarkullimit. Audituesit konstatuan gjithashtu se Bashkia nuk kishte hartuar dhe miratuar një Plan Urban të Trafikut si dokument të veçantë.
Investimet në transport, tre vite nën objektiva
Shpenzimet e programit të transportit publik në Bashkinë e Tiranës u rritën nga 325 milionë lekë në vitin 2023 në 1.53 miliardë lekë në vitin 2025. Megjithatë, pjesa dërrmuese e fondeve është përdorur për subvencione dhe rimbursime, përfshirë abonetë e studentëve dhe pensionistëve. Sipas raportit, investimet përbënin 13% të shpenzimeve të programit në vitin 2023 dhe 30% në vitin 2024, por realizimi i tyre ishte zero.
Në vitin 2025, investimet zinin vetëm 4% të shpenzimeve dhe u realizuan në masën rreth 2%. KLSH ka analizuar veçmas projektet që ndikojnë në lëvizshmërinë urbane, përfshirë korsitë e dedikuara për autobusët, infrastrukturën për biçikletat dhe sistemet e menaxhimit të trafikut.
Për këto projekte, niveli i realizimit ishte 26% në vitin 2023, 22% në vitin 2024 dhe 50% në vitin 2025. Megjithëse përqindja e realizimit u përmirësua vitin e kaluar, fondet faktike të investuara ishin më të ulëta se në vitin 2023.
Raporti konstaton se gjatë tre viteve nuk është arritur të realizohet as niveli i investimeve të planifikuara për një vit të vetëm, vitin 2023. KLSH paralajmëron se struktura e shpenzimeve, e orientuar kryesisht drejt subvencioneve, e kombinuar me realizimin e ulët të investimeve, krijon rrezik për mungesë ndikimi në përmirësimin e qarkullimit rrugor dhe cilësisë së shërbimit.
Transporti publik, nga menaxhimi i linjave tek gjendja teknike e autobusve
Vetëm 29% e banorëve të Tiranës janë të kënaqur me transportin publik, sipas studimit të Komisionit Europian “Cilësia e jetës në qytetet europiane 2023”, të cituar nga KLSH. Rreth 22% e banorëve përdorin transportin publik në një ditë tipike, duke e renditur Tiranën në vendin e 82-të nga 83 qytete të studiuara.
Ndërkohë, mbi 55% përdorin makinën si mjetin kryesor të lëvizjes. Auditimi identifikoi probleme në menaxhimin e linjave urbane, gjendjen teknike të autobusëve dhe vlerësimin e performancës së operatorëve.
Mangësi u konstatuan edhe në administrimin e ankesave të qytetarëve. Portali Urbani funksiononte pa procedura të brendshme të miratuara, ndërsa për një pjesë të ankesave mungonte dokumentimi i trajtimit.
Bashkia nuk kishte realizuar as anketat periodike të planifikuara për cilësinë e transportit publik gjatë periudhës së auditimit.
Në përfundim, KLSH vlerëson se masat e ndërmarra nga Bashkia e Tiranës nuk kanë arritur të sigurojnë një shërbim transporti publik efikas, të besueshëm dhe të orientuar drejt nevojave të qytetarëve, duke kërkuar forcimin e monitorimit dhe përshpejtimin e zbatimit të reformave të planifikuara. /Monitor