KORÇË-Edukatorja e arrestuar dy ditë më parë në Korçë, nën dyshimin se kishte ushtruar dhunë ndaj një fëmije 4-vjeçar në ambientet e kopshtit, është lënë e lirë. Gjatë seancës së zhvilluar sot, gjykata caktoi ndaj saj masën e sigurisë “Detyrim paraqitje”, si dhe pezullimin nga ushtrimi i detyrës. Edukatorja do të vijojë të hetohet në gjendje të lirë për akuzën e keqtrajtimit të të miturve.
Ngjarja u raportua më 24 tetor, ku pasi nëna e të miturit denoncoi rastin në Polici, ku pretendonte se prej disa ditësh djali i saj nuk ishte në gjendje të mirë, u krye arrestimi i edukatores. Nëna deklaroi se djali i kishte treguar se ishte goditur nga edukatorja, ndërsa prej disa ditësh kishte shfaqur frikë dhe nuk dëshironte të shkonte më në kopsht.
Në një deklaratë për mediat, nëna e të miturit pretendoi se kur kishte ngritur fillimisht shqetësimin pranë stafit të institucionit nuk ishte marrë seriozisht pasi punonjëset kishin pretenduar se fëmija nuk po thoshte të vërtetën./ZËRI
