KORÇË- Volsjana Plasa nëna e një 4-vjeçari në Korçë ka rrëfyer rrethanat që e shtynë të denonconte rastin e dyshuar të dhunës ndaj djalit të saj në kopshtin nr. 6 të qytetit. Sipas saj fëmija i kishte treguar se ishte goditur nga edukatorja, ndërsa prej disa ditësh kishte shfaqur frikë dhe nuk dëshironte të shkonte më në kopsht.
Nëna pretendon se kur kishte ngritur fillimisht shqetësimin pranë stafit të institucionit nuk ishte marrë seriozisht pasi punonjëset kishin pretenduar se fëmija nuk po thoshte të vërtetën.
View this post on Instagram
“Kam shkuar në kopsht dhe u kam thënë se fëmija po ankohej. Ato më thanë se kjo nuk ishte e vërtetë, duke pretenduar se fëmija është ters dhe gënjen. U thashë se është fëmijë dhe nuk desha ta zgjasja më tej. E mora djalin dhe ika”, tha Plasa.
Ajo tregon se situata e kishte revoltuar dhe se, pas ngjarjes, kishte vendosur t'u drejtohej organeve të rendit për të kërkuar zbardhjen e plotë të rastit.
Sipas nënës, gjatë përplasjes në kopsht telefonin ia kishin marrë dhe ia kishin hedhur, ndërsa ajo pretendon se ishte përballur edhe me dhunë fizike.
“Kërkova drejtoreshën, por ajo nuk ndodhej aty. Isha shumë e revoltuar, si çdo nënë që sheh fëmijën e saj në atë gjendje. Unë e çoj djalin në kopsht që të edukohet dhe të mësojë, jo që të përjetojë situata të tilla”, u shpreh ajo.
“U thashë se do të përballeshin me ligjin. Sipas asaj që përjetova, më morën telefonin dhe ma hodhën, ndërsa pretendoj se edhe më vunë dorë. Mora djalin dhe shkova menjëherë në komisariat”, tha nëna e 4-vjeçarit.
Ajo rrëfen se përpara se të jepte deklarimin e saj në polici ishte telefonuar nga drejtoresha e kopshtit, e cila i kishte kërkuar të takoheshin për të sqaruar situatën. Sipas Plasës, drejtoresha i kishte kërkuar falje dhe kishte pranuar se ajo kishte të drejtë, por nëna kishte vendosur të ndiqte rrugën ligjore.
“Pa e dhënë ende deklarimin tim, më telefonoi drejtoresha, duke më kërkuar të takoheshim për t'u sqaruar. I thashë se tashmë e kisha zbuluar vetë situatën dhe se, sipas meje, po gënjenin personat e kopshtit, jo fëmija im. Ajo më kërkoi falje dhe pranoi se kisha të drejtë, por unë i thashë se do të ndiqja rrugën ligjore”, deklaroi ajo.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga nëna lidhet me sigurinë e fëmijëve në institucionet parashkollore dhe me mundësinë që raste të ngjashme të mos raportohen, veçanërisht kur bëhet fjalë për të mitur që nuk janë në gjendje të shprehin qartë atë që kanë përjetuar.
Sipas saj, djali kishte folur edhe në prani të psikologes, ndërsa ajo kërkon që institucionet arsimore të ushtrojnë kontrolle të vazhdueshme në kopshte.
“I bëj thirrje Drejtorisë Arsimore që të kryejë kontrolle në kopshte, sepse fëmijët janë të pambrojtur dhe të pafajshëm. Djali im foli edhe në prani të psikologes, por çfarë ndodh me ata fëmijë që nuk dinë të flasin apo të shprehen? Kush e di se sa prej tyre mund të kenë përjetuar situata të ngjashme pa mundur të tregojnë se çfarë u ka ndodhur?”, tha Volsjana Plasa./ZËRI