TIRANË-Drejtoria Vendore e Policisë së Tiranës ka nxjerrë një shkresë urgjente drejtuar komisariateve të Tiranës, ku kërkon marrjen e një sërë masash për respektimin e të drejtave të të miturve dhe të rinjve protestues, para gjatë dhe pas shoqërimit.
Në dokumentin drejtuar komisariateve nr. 1, 2, 3, 4, 5, 6 dhe 7, si dhe strukturave të Policisë në Krujë, kërkohet zbatimi korrekt i detyrimeve të përcaktuara në Kodin e Drejtësisë Penale për të Mitur dhe aktet ligjore në fuqi. Shkresa kërkon identifikimin e çdo punonjësi policie gjatë detyrës, përmes numrit identifikues, si dhe identifikimi i automjeteve policore në çdo operacion.
Po ashtu Policisë i ndalohet kontrolli i telefonave pa urdhër gjyqësor, ndërsa dokumenti thekson se nuk duhet të ketë asnjë kërkesë për përgjime jashtë bazës ligjore. Gjithashtu, për çdo të mitur duhet të garantohet prania e prindit ose kujdestarit ligjor dhe e psikologut. Kërkohet edhe plotësimi i formularit për të drejtat e të miturit, përpara çdo pyetjeje, si dhe mbajtja e një regjistri të veçantë për këto raste.
Në përfundim, drejtuesit e policisë kërkojnë marrjen e masave të përcaktuara në shkresë dhe zbatimin korrekt të detyrimeve ligjore për të miturit.
