
TIRANË- Panairi i 29-të i Librit “Tirana 2026” nuk do të mbahet në datat e parashikuara. Aktiviteti i planifikuar për 11-15 nëntor është zhvendosur për në muajin dhjetor për shkak të situatës së tensionuar në kryeqytet dhe protestave që po zhvillohen në Tiranë.
Vendimi është marrë nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë e drejtuar nga Petrit Ymeri pas konsultimeve me botues, pedagogë, mësues dhe lexues. Shqetësimi kryesor lidhet me pjesëmarrjen e publikut, pasi klima e krijuar në qytet mund të ndikojë në numrin e vizitorëve që do të merrnin pjesë në këtë aktivitet veçanërisht të rinjve dhe fëmijëve.
Panairi i Librit është një prej ngjarjeve më të rëndësishme kulturore të vitit që bashkon botuesit, autorët dhe lexuesit duke u dhënë mundësi këtyre të fundit të njihen me botimet më të reja dhe të bëhen pjesë e aktiviteteve që promovojnë leximin.
Pavarësisht shtyrjes, aktiviteti do të zhvillohet gjatë muajit dhjetor. Datat e reja të edicionit “Tirana 2026” pritet të bëhen publike në ditët në vijim.
Njoftimi i plotë:
Të dashur kolegë botues dhe ekspozues të Panairit të 29 të Librit “Tirana 2026”,
Të nderuar lexues,
Grupi organizator i Panairit, pas këshillimeve me shumë botues, pedagogë, mësues dhe lexues, vlerëson se organizimi i tij në datat e parashikuara (11-15 nëntor 2026), për shkak të situatës së tensionuar dhe shqetësuese në Tiranë, nuk do të garantonte pjesëmarrjen e duhur të vizitorëve dhe lexuesve, veçanërisht të të rinjve dhe fëmijëve, të cilët përbëjnë një nga grupet kryesore të synuara të Panairit të Librit.
Ju njoftojmë se Panairi i 29 i Librit “Tirana 2026” do të zhvillohet gjatë muajit dhjetor, pra brenda këtij viti.
Datat e sakta do t’jua bëjmë të ditura shumë shpejt.
Duke ju falënderuar për mirëkuptimin dhe durimin, ju urojmë punë të mbarë!./ZËRI