Aktualitet

Të dënuar me burg në Itali për vjedhje e torturë, arrestohen në Shkodër dhe Vorë dy shqiptarët (EMRAT-VIDEO)

Sipas njoftimit të Policisë, konkretisht një 45-vjeçar u arrestua në Shkodër, ndërsa një 49-vjeçar në Vorë.

zh.ll
Të dënuar me burg në Itali për vjedhje e torturë,
pamje nga arrestimet

TIRANË- Dy shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane janë arrestuar në Shkodër dhe Vorë, me qëllim ekstradimin drejt Italisë. Sipas njoftimit të Policisë, konkretisht një 45-vjeçar u arrestua në Shkodër, ndërsa një 49-vjeçar në Vorë.

Uniformat blu bëjnë me dije se 45-vjeçar Aldo Doçaj alias Vuksan Daçaj rezulton i dënuar nga Gjykata e Romës me 7 vjet e 11 muaj burgim për vjedhje, dhunë e kanosje. Ndërkohë, në Vorë u arrestua 49-vjeçari Bukurosh Kuçi, i cili rezulton i dënuar nga Gjykata e Apelit të Barit me 4 vite burgim për torturë dhe skllavëri.

Njoftimi i Policisë:

Finalizohen 2 faza të tjera të operacionit të koduar “Fast”, nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Shkodër dhe DVP Tiranë.

Kapen në Shkodër dhe në Vorë 2 shtetas në kërkim ndërkombëtar.

Shërbimet Operacionale të Sektorit për Kërkimin (FAST Albania) të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, në Departamentin e Policisë Kriminale, si rezultat i kontrolleve dhe i informacioneve të shkëmbyera ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, kanë finalizuar 2 faza të tjera të operacionit të koduar “Fast”.

-Gjatë fazës së parë u kap në Shkodër dhe u arrestua me qëllim ekstradimin në Itali shtetasi A. D. alias V. D., 45 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit e Romës, e ka dënuar me 7 vjet e 11 muaj burgim, për veprat penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim, “Vjedhja me thyerje”, mbetur në tentativë, “Kundërshtimi i punonjësve që kryejnë detyrë publike” dhe “Dhuna ose kanosja ndaj punonjësit publik”. Nga dënimi i kanë mbetur për të kryer 5 vjet, 4 muaj e 2 ditë burgim.

-Gjatë fazës së dytë u kap në Vorë dhe u arrestua me qëllim ekstradimin në Itali shtetasi B. K., 49 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Apelit e Barit, e ka dënuar me 4 vjet burgim, për veprat penale “Torturë” dhe “Skllavëri”. Nga dënimi i kanë mbetur për të kryer 3 vjet, 11 muaj e 3 ditë burgim.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet italiane, vijon procedurat për ekstradimin e këtyre 2 shtetasve në Itali.

MOS HUMB