LIVE UPDATES

Pas “betejës” me molotovë e ujë, Policia “kontrollon” bulevardin, shpërndahen protestuesit

♦Këtë të shtunë u zhvilluan dy protesta, në dy fronte të ndryshme në Tiranë. ♦Studentët nisën protestën e tyre te Ministria e Arsimit, ku iu bashkuan edhe pedagogët. ♦Në të njëjtën orë, nisi dhe protesta e PD-së, të cilët qëndruan për rreth një orë para Kryeministrisë. ♦Më pas, ata marshuan drejt Ministrisë së Arsimit për t'iu bashkuar protestës së studentëve. ♦Këta të fundit refuzuan që demokratët t'i bashkohen protestës, duke kërkuar largimin e deputetëve, me thirrjet: Rama në burg, Berisha në burg. ♦Mes tyre u zhvilluan përplasje të ashpra verbale, teksa situata u tensionua, pasi protestuesit ndezën flakadaën dhe iu vunë flakën koshave të mbeturinave. ♦Tensionet zgjati për gati një orë, ku protestuesit filluan të gjuanin me gurë e molotovë drejt policisë, të cilët u përgjigjën me ujë për t'i shpërndarë. ♦Më pas, protestuesit, nën reshjet e shiut, marshuan për ta zhvendosur protestën para Kryeministrisë. ♦Përpara Kryeministrisë janë regjistruar disa episode të tensionuara, pasi protestuesit hedhën molotovë drejt forcave të policisë, ndërsa këta të fundit u përgjigjën me ujë e gaz lotsjellës. 

14 artikuj për këtë temë.
14 ORE ME PARE

Halloween në protestë/ Tri vajza vishen si efektive policie, pankarta e tyre: Maska më e frikshme sot për sot, policia

Pas “betejës” me molotovë e ujë, Policia
Tri vajza vishen si efektive policie

TIRANË- Një formë ironie ndaj uniformave të Policisë së Shtetit kanë zgjedhur tre protestuese gjatë tubimit të sotëm në Tiranë, duke e lidhur protestën edhe me festën e Halloween- it.

Të maskuara dhe të veshura me uniforma policie ato janë shfaqur mes protestuesve, ndërsa njëra prej tyre mbante në duar një pankartë me mbishkrimin 'Maska më e frikshme sot për sot, policia'.

Përmes këtij gjesti, protestueset kanë ironizuar uniformat e efektivëve, duke e kthyer festën e Halloween-it në një formë satire brenda protestës.

Momenti është filmuar dhe është publikuar në një video nga protesta./ZËRI

15 ORE ME PARE

Rrëzohet droni i policisë gjatë protestës, efektivët përdorin gaz lotsjellës dhe autobotin e ujit për të rimarrë pajisjen

Pas “betejës” me molotovë e ujë, Policia
foto nga droni

TIRANË- Një incident me një prej dronëve të Policisë së Shtetit është regjistruar gjatë protestës në Bulevardin 'Dëshmorët e Kombit'. Pajisja e cila ishte vënë në shërbim për monitorimin e lëvizjeve të protestuesve, është rrëzuar në mes të bulevardit.

Rënia e dronit ka tërhequr vëmendjen e disa protestuesve, të cilët janë afruar pranë tij. Në këtë moment kanë ndërhyrë efektivët e policisë, të cilët kanë përdorur autobotin e ujit dhe gazin lotsjellës për të larguar turmën dhe për të mos lejuar marrjen e pajisjes nga protestuesit.

Pas ndërhyrjes, policia ka arritur ta rimarrë dronin duke siguruar pajisjen që ishte përdorur për mbikëqyrjen nga ajri të protestës.

Ngjarja është shoqëruar me tensione në bulevard, ndërsa ndërhyrja për rikuperimin e dronit u bë një tjetër episod i përplasjes mes protestuesve dhe forcave të rendit./ZËRI

15 ORE ME PARE

Pas Kryeministrisë, përplasjet zhvendosen te Myslym Shyri, protestuesit sulmojnë me molotovë autobotin e ujit

Pas “betejës” me molotovë e ujë, Policia
foto

TIRANË- Përplasjet mes protestuesve dhe policisë janë zhvendosur në rrugën 'Myslym Shyri' pas ndërhyrjes së forcave të rendit për shpërndarjen e turmës para Kryeministrisë.

Efektivët kanë nisur ndjekjen e protestuesve në rrugët e zonës, ndërsa këta të fundit janë larguar nëpër rrugicat përreth në përpjekje për t’iu shmangur shoqërimit nga policia.

Gjatë përplasjeve, protestuesit kanë hedhur bomba molotovë në drejtim të autobotit të ujit, ndërsa tensionet janë zhvendosur nga bulevardi në rrugët e brendshme të kryeqytetit./ZËRI

15 ORE ME PARE

Autobotët e ujit zbrazin bulevardin, policia zhvendos protestuesit pas sulmeve me molotovë

Pas “betejës” me molotovë e ujë, Policia
FOTO

TIRANË- Policia ka përdorur sërish autobotët e ujit për të shpërndarë protestuesit, pas sulmeve të njëpasnjëshme me molotovë ndaj efektivëve para Kryeministrisë.

Ndërhyrja ka bërë që turma të largohet nga bulevardi, ndërsa forcat e policisë kanë avancuar përgjatë tij, duke shtrirë aksionin nga zona e Piramidës në drejtim të ish-hotel Dajtit dhe Ministrisë së Brendshme.

Përdorimi i ujit ka shënuar një tjetër moment të tensionuar të protestës, ndërsa efektivët kanë vijuar ndërhyrjen për të larguar protestuesit dhe për të marrë nën kontroll hapësirën përgjatë bulevardit./ZËRI

16 ORE ME PARE

Protestuesit hedhin molotovë drejt Kryeministrisë, policia përdor ujë me presion

Pas “betejës” me molotovë e ujë, Policia
foto nga protesrta

TIRANË- Protesta para Kryeministrisë është shoqëruar me tensione, pasi protestuesit kanë hedhur molotovë në drejtim të godinës së qeverisë.

Në përgjigje policia ka ndërhyrë duke përdorur ujë me presion për të shpërndarë protestuesit dhe për t’i larguar ata nga zona. Ndërkohë forcat e rendit kanë vendosur një kordon sigurie përpara Kryeministrisë duke penguar afrimin e mëtejshëm të turmës drejt godinës.

Tensionet vijojnë pas incidenteve të regjistruara më herët edhe para Ministrisë së Arsimit, ku protestuesit hodhën molotovë në drejtim të efektivëve të policisë.

Pavarësisht ndërhyrjes së forcave të rendit protestuesit vijojnë të qëndrojnë në zonën përpara Kryeministrisë./ZËRI

17 ORE ME PARE

Nuk i ndal as shiu, protestuesit zhvendosen para Kryeministrisë (VIDEO)

Pas “betejës” me molotovë e ujë, Policia
PROTESTUESIT JANE POZICIONUAR PERPARA GODINES SE KRYEMINISTRISE

TIRANË- Pas largimit nga Ministria e Arsimit, protestuesit janë pozicionuar para Kryeministrisë, ku vijojnë të qëndrojnë edhe pse reshjet e shiut nuk janë ndalur. Të pajisur me çadra ata janë grumbulluar përpara godinës së qeverisë duke vijuar protestën.

/ZËRI

18 ORE ME PARE

Protestuesit nxjerrin 'armët' e tjera, gjuajnë me llastiqe, policia u përgjigjet me ujë (VIDEO)

Pas “betejës” me molotovë e ujë, Policia
protesta

TIRANË- Përplasjet te Ministria e Arsimit po vijojnë edhe pas paralajmërimit të Policisë. Megjithatë, disa protestues vijojnë të qëndrojnë në zonë, duke përdorur llastiqe kundër efektivëve të policisë. Protestuesit qëllojnë efektivët me llastiqe, gurë dhe sende të forta. Nga ana tjetër, Policia është përgjigjur me autobotin e ujit për të shpërndarë turmën.

/ZËRI

19 ORE ME PARE

Protestuesit ndezin flakadanë, u vënë flakën koshave te Ministria e Arsimit (VIDEO)

Pas “betejës” me molotovë e ujë, Policia
protestuesit djegin koshat

TIRANË- Tensionet e para kanë nisur te Ministria e Arsimit. Fillimisht, të rinjtë u përplasën me përfaqësuesit e Partisë Demokratike, duke mos lejuar praninë e tyre në protestë. Më pas, situata është përshkallëzuar, pasi protestuesit kanë ndezur flakadanë blu dhe të kuq, si dhe kanë djegur koshat e mbeturinave. 

Ndërkohë, Policia ka bërë disa herë thirrje protestuesve të ruajnë qetësinë, duke paralajmëruar se në të kundërt do të ndërhyjë për shpërndarjen e tyre./ZËRI

19 ORE ME PARE

Tensione para Ministrisë së Arsimit, studentët nuk pranojnë bashkimin me deputetët e PD

Pas “betejës” me molotovë e ujë, Policia
pamje nga perplasja

TIRANË- Është tensionuar situata para Ministrisë së Arsimit, pas mbërritjes së mbështetësve të Partisë Demokratike në zonë. Ata janë pritur nga një pjesë e protestuesve me thirrjet: “Rama në burg, Berisha në burg”.

Studentët kanë kundërshtuar bashkimin me mbështetësit e opozitës, duke sjellë edhe përplasje të ashpra mes dy grupeve. Ata kanë theksuar se mirëpresin çdo qytetar që dëshiron t'u bashkohet në protestë, por jo përfaqësues apo deputetë të opozitës. Sipas studentëve, protesta e tyre është kundër qeverisë dhe politikës, ndaj kërkojnë që tubimi të ruajë karakterin e tij studentor./ZËRI

20 ORE ME PARE

Nga Kryeministria drejt Ministrisë Arsimit, PD marshim për t’iu bashkuar studentëve

Pas “betejës” me molotovë e ujë, Policia
pd-marshim

TIRANË- Mbështetësit dhe deputetët e opozitës kanë nisur marshimin nga Kryeministria drejt Ministrisë së Arsimit, për t'iu bashkuar grupit tjetër të protestuesve. Pas qëndrimit për më pak se një orë para godinës së Kryeministrisë, protestuesit janë nisur në marshim, nën mbikëqyrjen e forcave të rendit. Aktualisht, protesta po zhvillohet në qetësi. Deri në këto momente nuk janë raportuar incidente apo përplasje./ZËRI

 

20 ORE ME PARE

"Hiqe dorën, plehrë"/ Këlliçi e Blushi përplasen me policët: Po pengoni lëvizjen

Pas “betejës” me molotovë e ujë, Policia
momenti i perplasjes

TIRANË- Një situatë e tensionuar është regjistruar sot pranë Kryeministrisë. Në nisje të protestës së Partisë Demokratike, deputetët Tedi Blushi dhe Belind Këlliçi, kishin mbërritur të parët te Kryeministria, teksa janë përfshirë në një përplasje me Policinë e Shtetit.

Përplasje mes tyre ka ardhur pasi nga ana e policisë nuk është lejuar të kalohet sipas tyre, perimetri i sigurisë. Deputetët kanë pretenduar se efektivët kanë penguar qytetarët të lëvizin lirshëm dhe kanë ndërhyrë edhe ndaj deputetëve.

Pjesë nga përplasjet:

Blushi-Policia

Policia: Ikni mbrapa!

Qytetari: Hap rrugën aty se do të iki në shtëpinë time!

Policia: Kemi një urdhër.

Tedi Blushi: Ça urdhri?

Përplasja Këlliçi-Policia

Belind Këlliçi: Hiqe dorën! Plehrë!

Policia: Prit pak!

Belind Këlliçi: Për çfarë i pengon njerëzit? Ça problemi ka, pse pengohen njerëzit?

Policia: Është perimetri i sigurisë.

Qytetari: Nga kush siguroheni? Nga kush keni frikë?

Belind Këlliçi: Dua të kaloj bashkë me zotërinë që është në biçikletë, në rrugë të vet.

21 ORE ME PARE

Protesta e thirrur nga PD, deputetët dhe protestuesit marshojnë drejt Kryeministrisë (VIDEO)

Pas “betejës” me molotovë e ujë, Policia
marshimi nga selia blu

TIRANË- Ka nisur protesta kombëtare e thirrur nga Partia Demokratike. Mbështetësit e opozitës kanë marshuar nga selia blu, të udhëhequr nga deputetët Flamur Noka, Gazment Bardhi dhe Agron Gjekmarkaj.

Ndërkohë, deputetët Tedi Blushi dhe Belind Këlliçi janë zhvendosur më herët në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" pranë Kryeministrisë, ku janë përfshirë në një përplasje me efektivët e Policisë së Shtetit./ZËRI

21 ORE ME PARE

Nis grumbullimi i studentëve te Ministria e Arsimit, Policia në gatishmëri

Pas “betejës” me molotovë e ujë, Policia
grumbullimi te ministria e arsimit

TIRANË- Ka nisur grumbullimi i protestuesve para Ministrisë së Arsimit, ku pritet të zhvillohet tubimi i studentëve. Siç shihet edhe në pamje, forcat e policisë janë vendosur në gatishmëri për mbarëvajtjen e protestës. Aktualisht situata paraqitet e qetë, teksa protestuesit kanë nisur të grumbullohen ndërsa qarkullimi në zonë është devijuar.

Në mbështetje të studentëve pritet të jenë edhe pedagogët, të cilët prej disa ditësh kanë bojkotuar procesin mësimor dhe u janë bashkuar kërkesave të tyre./ZËRI

23 ORE ME PARE

E shtunë protestash në Tiranë! Studentët do të mblidhen te Ministria e Arsimit, proteston edhe PD

Pas “betejës” me molotovë e ujë, Policia
pamje nga protestat e kaluara

TIRANË- Tirana do të përfshihet sot nga protestat, me studentët dhe opozitën që kanë paralajmëruar tubime kundër qeverisë.

Studentët do të zhvillojnë sot protestën e radhës kundër qeverisë. Në orën 12:00, studentët do të mblidhen para Ministrisë së Arsimit, ndërsa në orën 14:00 do ta zhvendosin protestën para Kryeministrisë. Krahas studentëve, në protestë pritet të marrin pjesë edhe pedagogët. Këta të fundit, prej ditësh kanë bojkotuar procesin mësimor dhe u janë bashkuar kërkesave të studentëve.

Por, këtë të shtunë, protesta e studentëve nuk do të jetë e vetmja. Në orën 12:00 gjithashtu, Partia Demokratike ka njoftuar protestë kombëtare në mbështetje të studentëve. Një ditë më parë, kryedemokrati Sali Berisha u bëri thirrje anëtarëve, mbështetësve dhe qytetarëve nga i gjithë vendi që t’i bashkohen tubimit.

Edhe të shtunën e kaluar, studentët dhe PD dolën në protestë në orare dhe zona të ndryshme të kryeqytetit. Protesta zgjati deri në orët e vonë, ku u regjistruan përplasje të forta dhe incidente të rënda. /ZËRI

MOS HUMB