Tymuese e flakadanë në Kuvend, përjashtohen 4 deputetë të PS, kalohet në votim direkt
TIRANË- Kuvendi është përfshirë nga kaosi. Pas bllokimit të foltores, deputetët e PD-së kannë ndezur tymuese dhe flakadanë. Në këto kushte, kreu i Kuvendit kaloi në votim direkt projektligjet. Ndërkohë, pas përplasjeve Peleshi përjashtoi nga seanca 4 deputetë: Blendi Himçin, Ivi Kaso, Bledion Nallbati e Xhelal Mziu.
Tensionet në seancën plenare, kryeministri Rama në ambientet e Kuvendit (VIDEO)
TIRANË- Tensionet të forta janë shënuar sot në Kuvend që në nisje të seancës. Ndërkohë, kryeministri Edi Rama ndodhet në ambientet e Kuvendit. Në këto pamje jashtë godinës shihet eskorta e kreut të qeverisë.
/ZËRI
"Blindohet" perimetri i Kuvendit, autobotë uji dhe forca të shtuara policore në terren
TIRANË- Kuvendi ka nisur seancën plenare, ndërsa në ambientet e jashtë qëndrojnë dhjetëra makina dhe efektivë policie për të siguruar mbarëvajtjen e seancës. Në gatishmëri janë vendosur edhe autobotët me ujë me presion, ndërsa perimetri është rrethuar me gardhe metalike. Masat e shtuara të sigurisë vijnë në një kohë kur vendi prej disa ditësh po përballet me protesta dhe tensione./ZËRI
“Plumbat e gomës i meritojnë këta”/ Peleshi i heq fjalën për gjithë ditën Berishës: Kjo është thirrje për dhunë
TIRANË- Seanca plenare ka nisur me tensione të forta. Kryedemokrati Sali Berisha mori i pari fjalën dhe u ndal te protesta, duke thënë se deputetët e mazhorancës meritojnë plumbat e gomës dhe gazin lotsjellës. Deklarata solli ndërhyrjen e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, i cili i ndërpreu fjalën kreut të opozitës, duke e cilësuar deklaratën si thirrje për dhunë.
Pjesë nga debati:
Berisha: Java dhe ditët që kaluan, Tirana pa barbaritë më të mëdha ndaj të rinjve shqiptarë, barbaritë gjatë asnjë pushtimi. Në rrugët e Tiranës u thyen kocka, u çanë kafka, u përshtatën mjetet më të egra kundër të rinjve. Këta parlamentarë që shihni këtu, janë më kriminelë se ata që thyejnë kocka dhe çajnë kafka. E meritojnë këta gazin lotsjellës, plumbat e gomës, kafkat e çara, kockat e thyera.
Peleshi: Kjo është thirrje për dhunim. Ju hiqet fjala. Keni bërë thirrje për dhunë nga foltorja e Kuvendit. S’keni të drejtë fjale për gjithë ditën e sotme.
Peleshi i hoqi fjalën për gjithë ditën Berishës, teksa ndërpreu seancën për 5 minuta pushim./ZËRI
Nis me zhurmë seanca plenare, deputetët e PD godasin tavolinat e bllokojnë foltoren (VIDEO)
TIRANË- Ka nisur me tensione seanca e sotme plenare. Deputetët e PD me pankarta në duar në mbështetje të studentëve, goditën me duar tavolinat teksa fliste kreu i Kuvendit, Niko Peleshi. Më pas tensionet vijuan, teksa deputetët e opozitës bllokuan foltoren dhe në kushte të tilla, Peleshi njoftoi 5 minuta pushim.
/ZËRI