Zgjedhjet vendoret 2027 do të mbahen më 9 maj

TIRANË-Presidenti i Republikës Bajram Begaj dekretoi datën 9 maj 2027 për zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore. Vendimi vjen pas konsultimeve që kreu i shtetit zhvilloi gjatë paradites me partitë politike, ku morën pjesë vetëm përfaqësuesit e Partisë Socialiste dhe Partisë Socialdemokrate të Tom Doshit. Partitë e opozitës e refuzuan ftesën e Presidentit. Data e zgjedhur nga Begaj, u propozua gjatë takimit nga përfaqësuesit e Partisë Social-Demokrate. Data 2 maj ishte përjashtuar nga mundësitë, pasi përkon me Pashkët Ortodokse.
Zgjedhja e 9 majit erdhi si propozim i vetë Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, me arsyetimin se kjo datë i jep më shumë kohë KQZ-së për marrjen e masave zbatuese dhe përgatitjen logjistike të procesit. Propozimi u mbështet gjithashtu edhe nga Partia Socialdemokrate.
Në njoftim theksohet se data e zgjedhur nuk lidhet me asnjë rezervë apo paragjykim për favorizimin e palëve të caktuara apo për ndikim në vullnetin e lirë të zgjedhësve.
Presidenti u ka bërë thirrje subjekteve politike të marrin pjesë në zgjedhje me alternativa, platforma dhe kandidatë, si dhe të garantojnë një proces të drejtë, konkurrues dhe në përputhje me standardet demokratike. Ai gjithashtu ka kërkuar bashkëpunim të plotë me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për mbarëvajtjen e procesit.

Takimi me Presidentin Begaj, PSD e Tom Doshit propozon 9 majin për Vendoret 2027
TIRANË- Partia Social-Demokrate (PSD) mori pjesë në takimin me Presidentin Bajram Begaj për të diskutuar mbi datën e zgjedhjeve vendore të vitit 2027. Në takimin që u zhvillua sot në orën 11:00 në Presidencë, deputeti Tedi Mula dhe nënkryetari i PSD, Altin Vrioni mësohet se i kanë propozuar Begajt datën 9 maj për zgjedhjet e ardhshme.
Ndërkohë, Partia Demokratike dhe partië e tjerë opozitare kanë bojkotuar takimin. Nga ana tjetër, kreu i Grupit të PS-së, Taulant Balla, u bëri thirrje që të marrin pjesë. /ZËRI
PL refuzon ftesën e Begajt, Blushi letër Begajt: Nuk marr pjesë në procedura formale
TIRANË- Partia e Lirisë ka refuzuar ftesën e Presidentit Bajram Begaj për konsultime për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore 2027. Sekretari i Përgjithshëm i PL-së, Tedi Blushi, i është drejtuar me një letër presidentit, ku e cilëson të papërshtatshëm takimin me argumentin se vendi po përballet me një situatë të rëndë politike.
Blushi argumenton se në fokus të vëmendjes publike duhet të jenë protestat dhe kërkesat e studentëve dhe gjimnazistëve, ndërsa takimin e konsideron një 'konsultim formal për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore është totalisht i pavend dhe i padobishëm'.
Sekretari i Përgjithshëm i PL-së thekson se një konsultim i tillë mund të përdoret për qëllime propagandistike dhe kërkon nga Begaj që të përmbushë detyrimin kushtetues pa e kthyer takimin në një procedurë formale.
Letra e Tedi Blushit për Presidentin Bajram Begaj:
I nderuar President!
U njoha me ftesën tuaj, por e konsideroj të papërshtatshme pjesëmarrjen në një konsultim formal për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore, në një moment kur protesta dhe kërkesat legjitime të studentëve dhe gjimnazistëve janë kryeagjenda e Shqipërisë.
Ky konsultim formal bëhet edhe më i papranueshëm, veçanërisht, pas dhunës shtetërore barbare, gjakosjes dhe terrorizimit, si dhe rrëmbimeve e arrestimeve arbitrare dhe të paligjshme të studentëve dhe protestuesve. Shqipëria po përballet me një krizë të rëndë të lirive dhe të drejtave themelore, ndërsa dhuna ndaj të rinjve dhe represioni ndaj pluralizmit politik e bëjnë të domosdoshëm reagimin e institucioneve kushtetuese.
Përballë kësaj emergjence kushtetuese dhe kombëtare, përgjegjësia е institucionit të Presidentit të Republikës nuk mund të kufizohet në konsultime formale, por duhet të përqëndrohet në qëndrime të qarta, akte dhe veprime konkrete në mbrojtje të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe lirive dhe të drejtave themelore të qytetarëve.
Fatkeqësisht, institucioni i Presidentit të Republikës nuk e ka përmbushur rolin e tij kushtetues, veçanërisht përballë dhunës shtetërore ndaj studentëve, gjimnazistëve dhe qytetarëve që ushtrojnë të drejtën e tyre për të protestuar. Në këto rrethana, një konsultim formal për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore është totalisht i pavend dhe i padobishëm.
Ajo që pritet prej jush është të përmbushni detyrimin kushtetues për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore, pa e shndërruar këtë përgjegjësi në një procedurë formale, që mund të përdoret për qëllime propagandistike nga Qeveria dhe Kryeministri Edi Rama, të cilët janë edhe përgjegjësit kryesorë të krizës. Për këto arsye, ju bëj me dije se nuk do të marr pjesë në një konsultim formal me ju, të shkëputur nga urgjenca kushtetuese dhe kombëtare me të cilën përballet Shqipëria.
Ju faleminderit!
"PS gati për çdo datë", Balla pas takimit me Begajn u bën thirrje partive: Bojkoti s'është zgjidhje (VIDEO)
TIRANË- Presidenti Bajram Begaj nisi sot takimet konsultative me forcat politike për datën e zgjedhjeve të ardhshme vendore 2027. I pari që nisi serinë e takimeve ishte kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili mbërriti rreth orës 09:00 në Pallatin e Brigadave.
Balla ka reaguar pas takimit me Presidentin e Republikës, Bajram Begaj, për caktimin e darës së zgjedhjeve vendore të 2027. Në një deklaratë për mediat, pas takimit, Balla deklaroi se PS u bën thirrje të gjitha forcave dhe lëvizjeve politike të marrin pjesë në zgjedhjet vendore të vitit 2027.
Balla theksoi se bojkoti i zgjedhjeve nuk është zgjidhje, teksa deklaroi se Partia Socialiste është e gatshme për çdo datë, përveç 2 Majit, pasi përkon me një festë fetare.
“Partia Socialiste i bën thirrje të gjitha forcave dhe lëvizjeve politike të marrin pjesë në Zgjedhjet Vendore 2027. Bojkoti i zgjedhjeve nuk është zgjidhje!”, u shpreh Balla.
Ndërkohë, partitë opozitare kanë refuzuar ftesën e presidentit Bajram Begaj për datën e zgjedhjeve./ZËRI
Vendoret 2027 në 'tryezë'! Begaj pret sot partitë për datën, opozita bojkoton takimin
TIRANË- Presidenti Bajram Begaj do të zhvillojë sot konsultimet me përfaqësuesit e partive politike për përcaktimin e datës së zgjedhjeve vendore të vitit 2027.
Në orën 09:00, Begaj do të presë në takim përfaqësuesit e Partisë Socialiste. Ndërsa në orën 11:00, takim me Presidentin për datën e zgjedhjeve, do të zhvillojnë edhe përfaqësues të Partisë Social-Demokrate të drejtuar nga Tom Doshi.
Ndërkohë, Partia Demokratike e refuzoi publikisht ftesën e Begat për konsultime me subjektet politike për datën e zgjedhjeve. Pas publikimit të ftesës së Begat, kreu i Grupit të PD-së, Gazment Bardhi e quajti nisjen e konsultimeve teatër. Gjithashtu, Partia e Lirisë, Partia Mundësia, Lëvizja Shqipëria Bëhet dhe Lëvizja Bashkë kanë bërë të ditur se nuk do t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së kreut të shtetit
Afati i fundit që presidenti të dekretojë datën e zgjedhjeve është 6 nëntori. Sipas parashikimeve të Kodit Zgjedhor, zgjedhjet duhet të zhvillohen në një nga të dielat e periudhës 15 prill - 15 maj. Megjithatë, data përfundimtare do të përcaktohet pas konsultimeve me partitë politike.
Zgjedhjet 2027 janë për zgjedhjen e përfaqësuesve të pushtetit vendor në Shqipëri, ku qytetarët do të votojnë kryetarët e bashkive dhe këshillat bashkiakë në të gjithë vendin. /ZËRI