Politikë

Shtyhet hapja e 'basteve online', Malaj: Po rishikojmë ligjin, pastaj do të fillojë operimi i lojërave të fatit

Ministri i Financave, Petrit Malaj, tha në Komisionin e Ekonomisë se, megjithëse kuadri ligjor dhe VKM-të përkatëse janë përfunduar, bastet online do të hapen vetëm pas këtij rishikimi.

F.I
Shtyhet hapja e 'basteve online', Malaj: Po rishikojmë ligjin,
Petrit Malaj

TIRANË-Bastet sportive online pritet të rikthehen në Shqipëri pas plotësimit të kuadrit ligjor nga qeveria. Në mars të këtij viti në Fletoren Zyrtare u përcaktuan standardet teknike për funksionimin e basteve sportive online në Shqipëri, por hapja e tyre shtyhet sërish, pasi qeveria po rishikon ligjin për të forcuar mbikëqyrjen dhe për të shmangur problemet sociale.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, tha në Komisionin e Ekonomisë se, megjithëse kuadri ligjor dhe VKM-të përkatëse janë përfunduar, bastet online do të hapen vetëm pas këtij rishikimi.

Petrit Malaj: Ne kemi mbaruar të gjithë kuadrin ligjor sa i përket basteve online, VKM-të respektive. Qeveria po e rishikon edhe një herë ligjin për të pasur një mbikëqyrje të kujdesshme për të mos pasur probleme sociale. Pasi të mbarojë rishikimi i ligjit aktual do të fillojë operimi i lojërave të fatit.

Ligji i ri parashikon dhënien e 10 licencave dhe lejon pjesëmarrjen vetëm online, përmes identifikimit me kartë identiteti. Vendimi trajton edhe mënyrën e kryerjes së pagesave dhe transaksioneve financiare, ku përcaktohet se çdo veprim financiar që lidhet me bastet sportive online duhet të regjistrohet dhe të monitorohet në kohë reale nga institucionet përgjegjëse shtetërore. Çdo lojtar duhet të regjistrohet me të dhëna të plota personale, përfshirë dokument identifikimi, adresë dhe kontaktet përkatëse, ndërsa verifikimi i identitetit bëhet përmes email-it ose numrit të telefonit. Pikat fizike të basteve u mbyllën më 1 janar 2019.

MOS HUMB