TIRANË- Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ka prezantuar sot ndryshimet për vitin 2027 në Komisionin për Edukimin, Shkencën dhe Sportet, teksa diskutohej projektbuxheti i viti të ardhshëm.
Një nga risitë lidhet me zgjerimin e programit “Pas shkolle”, përmes të cilit, fëmijët do të kenë mundësi të qëndrojnë në shkollë deri në orën 17:00. Sipas ministres, programi do të zgjerohet me nga 2 orë në ditë, ndërsa për zbatimin e tij dhe angazhimin e mësuesve janë parashikuar 500 milionë lekë.
“Programi ‘Pas shkolle’ do të vijojë duke u zgjeruar edhe me dy orë në ditë, duke e shtuar kohën e qëndrimit të fëmijëve në shkollë maksimalisht deri në orën 17:00, por edhe duke ofruar module të reja”, tha Kumbaro.
Një tjetër ndryshim i prezantuar nga ministrja lidhet me përfshirjen e nxënësve me aftësi ndryshe. Sipas ministres, nisma e re parashikon një mësues për çdo fëmijë, ndryshe nga ç'është aktualisht, një mësues për 4 fëmijë.
"Një prej nismave më të rëndësishme lidhet me vendosjen e një mësuesi ndihmës për çdo fëmijë me aftësi ndryshe në shkollat tona. Raporti është një mësues për 4 fëmijë, ndërsa në vitin 2027 e çojmë një mësues ndihmës për një fëmijë", tha Kumbaro.
Zgjatja e orarit të qëndrimit të fëmijëve në shkollë deri në orën 17:00 u prezantua pak ditë më parë edhe nga kryeministri Edi Rama, jatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve. /ZËRI
