TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha ka njoftuar protestën e radhës kombëtare, të shtunën e 7 nëntorit. Në një konferencë për mediat, Berisha foli për protestat e studentëve, e cila sipas tij, është kthyer në shpresën e mbarë e shqiptarëve. Lideri i opozitës ftoi demokratët dhe qytetarët që t'i bashkohen protestës të së shtunës, pavarësisht bindjeve politike.
“Revolta e studentëve dhe e gjimnazistëve të Tiranës është kthyer në shpresën e mbarë shqiptarëve. E shtuna është dita që fton çdo shqiptar që të rreshtohet përkrah tyre, përkrah bijve dhe bijave të vendit, përkrah guximtarëve, që po bëjnë atë që duhet ta bëjnë qytetarët. Përballë tyre, këta të rinj kanë një kufomë politike si Rama. Ftoj demokratët dhe qytetarët që të shtunën të bashkohemi. Shqiptarët e të gjitha bindjeve duhet të bashkohen kundër kësaj të keqe të madhe, që quhet Edi Rama. Ky bastard po shpalos përditë psikologjinë çnjerëzore të të parëve të tij, po shpalos përditë urrejtjen për kundërshtarët politikë dhe urrejtjen për qytetarët e thjeshtë”, tha Berisha.
Të shtunën e kaluar, PD doli në protestë në të njëjtin orar me studentët, por në pole të ndryshme. Pas disa orësh të ndarë, në kryeqytet, PD vendosi t'i bashkohej protestës së studentëve, por këta të fundit refuzuan dhe u përplasën verbalisht me përfaqësues të partisë. /ZËRI