
TIRANË- Leka Zogu dhe Elia Zaharia, nuk janë më burrë e grua as ligjërisht. Gjykata e Tiranës ka zyrtarizuar zgjidhjen e martesës së tyre në datën 25 Prill, duke i dhënë kështu fund një konflikti të zgjatur mes tyre, edhe në dyert e gjykatës.
Mësohet se në vendimin e zbardhur të gjykatës renditen edhe tre arsyet që kanë çuar këtë martesë në divorc janë; së pari, konfliktet e vazhdueshme, mungesa e komunikimit dhe ndërprerja e bashkëjetesës. Arsye të cilat janë pranuar si nga Elia ashtu edhe nga Leka, të cilët kanë zgjedhur që të jenë të pranishëm në seanca të ndryshme. Gjithashtu në këtë vendim është përcaktuar se Elia nuk do ta mbajë më mbiemrin Zogu, por do të rikthejë atë të vajzërisë, Zaharia. Sa i përket ndarjes së pasurisë, nga ky divorc Elia Zaharia do të përfitojë në një apartament 257 m2, i cili është në emrin e të bijës, por edhe një dyqan 134 m2 si dhe një parking rreth 47 m2. Sipas kësaj marrëveshje të hartuar në janar të këtij viti kur Geraldina të jetë në moshë madhore Elia do të humbasë të drejtat mbi pronat në rast të krijimit të një marrëdhënieje të re martesore ose bashkëjetese.
Por deri atëherë, Leka Zogu do të paguajë 1 mijë euro vlerë monetare mujore si detyrim kundrejt vajzës, si këmbim e mitura mund të takohet çdo ditë me të atin 2 orë dhe të shkojë në shtëpinë e tij gjatë fundjavës.
Ish-shefi i marrëdhënieve me publikun në oborrin mbretëror, Erion Teli ka treguar më shumë detaje.
“Ka një marrëveshje mes princit Leka, mes lartësisë së tij Leka 2 dhe zonjës Zaharia, ajo do të jetojë në një apartament në qendër të Tiranës pas Hotel Dajtit, një apartament prej 300 metra katror. Këtë apartament princi e ka lënë në emër të vajzës së tij princeshës Geraldinë, por mund të shfrytëzohet nga zonjusha Zaharia, me një kusht të vetëm, që zonja Zaharia mund ta shfrytëzojë, për sa kohë të jetë e palidhur, e pamartuar. Në momentin që ajo do të vendosë të ketë një lidhje, ajo duhet të lërë apartamentin. Princi Leka ka lejuar që deri më tani zonjusha Zaharia bashkë me vajzën princesha Geraldina të jetojnë në pallatin mbretëror deri sa apartamenti të jetë gati, më pas princi do të kthehet në pallat ndërsa vajza dhe zonjusha Zaharia do jetojnë në apartament. Përveç kësaj princi ka marrë angazhimin që të japë një pagesë mujore për vajzën, do mbulojë të gjitha shpenzimet si të shkollimit si të jetesës së princeshës. Është një pagesë që e kalon 1000 euro në muaj, është princi që e ka vendosur të japë më shumë para e të mbulojë çdo shpenzim tjetër,"-tha Erion Teli.
Divorci vjen pas një momenti mjaft të vështirë në marrëdhënien mes tyre, ku nuk munguan akuzat për dhunë, dhe të dy u pajisën me urdhër mbrojtje për të qëndruar larg njëri-tjetrit. Video e një prej konflikteve të tyre u bë publike në media, ndërkohë që Princ Leka ka vazhduar jetën e tij, duke u lidhur me fotografen e pallatit mbretëror Blerta Celibashi.

Kujdestaria e vajzës së mitur i është lënë aktores, ndërsa Princ Leka mund ta takojë atë në prani të dados, dhe jo të vetë Elias. Çifti u martua në një ceremoni madhështore në vitin 2016, dhe tashmë pas 8 vitesh, Elia dhe Leka, nuk do të jenë më të lidhur, qoftë edhe ligjërisht mes tyre, pasi problemet në çift kanë nisur prej kohësh./ZËRI