Qytetërim

Zbulohet topi zyrtar i Euro 2024, produkt i teknologjisë së lartë

Mediat botërore shkruajnë se topi i Euro 2024 ka një sensor lëvizjeje dhe lejon mbledhjen e të dhënave të verifikuara për lëvizjen e tij, duke e transferuar për pak sekonda në VAR.

D.XH
Zbulohet topi zyrtar i Euro 2024, produkt i teknologjisë së lartë
Topi i Euro 2024

GJERMANI - Ndeshjet kualifikuese për Euro 2024 do përfundojnë në ditët në vijim dhe në mars do të shpallen të gjitha skuadrat që do të marrin pjesë në fazën finale, pas ndeshjeve play-off të Ligës së Kombeve.

Eventi i madh që mbahet në Gjermani do të nisë më 14 qershor dhe organizatorët po përgatiten me ritme të ethshme. Të mërkurën (15/11), në fakt, Adidas dhe UEFA prezantuan topin zyrtar të turneut.

Quhet "Fussballliebe" që do të thotë "dashuri për futbollin" dhe do të ketë të instaluar teknologjinë Connected Ball. Domethënë ka një sensor lëvizjeje dhe lejon mbledhjen e të dhënave të verifikuara për lëvizjen e tij, duke e transferuar brenda pak sekondash në VAR.

Kampionati Evropian i Futbollit është kulmi i garave të ekipeve kombëtare në Evropë dhe ne jemi të përkushtuar të sigurojmë që çdo aspekt, nga vendet e zhvillimit te pajisjet, të jetë i standardeve më të larta, në cilësi dhe performancë. Ne, si gjithmonë, kemi besim se FUSSBALLLIEBE nga Adidas do të shënojë një tjetër hap në angazhimin tonë të përbashkët për përsosmëri", tha Zvonimir Boban, Drejtor Teknik i UEFA-s dhe shefi i Futbollit.

“Dizajni i FUSSBALLLIEBE përfaqëson lëvizjen e topit dhe energjinë e lojës përmes formave të spikatura të ‘krahëve’ të zinj, të theksuara me skaje, kthesave dhe pikave shumëngjyrëshe. Përdorimi i ngjyrës së kuqe të ndezur, blu, jeshile dhe portokalli manifeston si gjallërinë që ekipet kombëtare konkurruese sjellin në turne, ashtu edhe thjeshtësinë e pastër të futbollit, që tërheq kaq shumë dashuri për tifozët në mbarë botën. Ilustrimet e secilës prej fazave të turneut shfaqen në top, së bashku me emrin e çdo qyteti pritës”, thotë UEFA.

Përveç përdorimit të poliesterit të ricikluar dhe bojës me bazë uji, FUSSBALLLIEBE është bërë nga materiale organike më të qëndrueshme se çdo top zyrtar i mëparshëm i ndeshjeve të Adidas. Çdo shtresë e topit është përshtatur për të përfshirë materiale të tilla si fibra misri, kallam sheqeri, ‘tul’ druri dhe gome.

“Kur hartuam këtë top të ndeshjes zyrtare, ne u frymëzuam nga energjia dhe diversiteti i turneut dhe dashuria që Europa ka për futbollin. Me këtë në mendje, ne shpresojmë që FUSSBALLLIEBE të sjellë gëzim, kudo që të rrokulliset”, tha Sam Handy, nënkryetar i produktit dhe dizajnit në Adidas Football.

Zbulimi i FUSSBALLLIEBE pasohet nga pesë ditë aktivitet në 'Stadiumin Olimpik', duke përfshirë paraqitje të veçanta nga legjendat e Europianit dhe yjet aktuale e mundësi për tifozët për të provuar topin.

Secili nga qytetet pritëse do të marrë 900 topa shtesë për t'ua dhuruar në nivel lokal shkollave, klubeve të futbollit dhe iniciativave të tjera.

Euro 2024 do të mbahet nga 14 qershori deri më 14 korrik 2024 në dhjetë qytete të Gjermanisë: Berlin, Këln, Dortmund, Dusseldorf, Frankfurt, Gelsenkirchen, Hamburg, Leipzig, Mynih dhe Shtutgart./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB