
TIRANË- Është ndarë nga jeta Paulin Shkjezi, djali i aktorit të madh Ndrek Shkjezi, regjisor i njohur, i shumë programeve televizive.
Paulin Shkjezi ishte regjisor i RTVSH në të cilin punoj për më shumë se 25 vjet ku janë realizuar shumë e shumë emisione nën regjinë e tij.
Shkjezi u bë i njohur që gjimnazist nga grupi ‘Matura 72’.
Rrëfimi i bashkëpunëtores së tij Blerina Shalari:
Ikja e një artisti është, veç të tjerash një prelud i dhimbshëm, që idhtësisht merr me vehte shumë punë, shumë pasion, shumë ngadhënjim, dhe sigurisht këtuf litet për artistin e vlerë, për atë të vërtetin, të pakonkurueshmin siç shkon në këtë rast. Paulin Shkjezi, ose xhaxhi Pali, siç e thërrisja në r t sh e vogël kur e takova njëherë në studio, ishte një njeri i cili ta impononte të flisje për të, dhe ta imponon dhe sot, që ka zgjedhur të jetojë ndryshe, ka menduar të jetojë vepërisht, ashtu si pasuria që la pas.
Përreth 40 Paulin Shkjezi lëvroi me punën e tij të gjitha gjinitë e artit, por më e vlefshmja, që do të duhet kohë për ta analizuar ishte Teatri në mikrofon, i famshmi, i mrekullueshmi teatër, dhe sot i pazëvendësueshmi, që na ka rritur me flladin e tij jetëdhënës. Mjeshtri Shkjezi hulumtoi dhe sendërtoi vepra fantastike sidomos për teatrin e fëmijëve në mikrofon.
Fantastikët e mëdhenj Zhyl Vern, Mark Twain, po edhe Shekspiri u brumosën dhe morën jetë nga duart e tij mjeshtërore e të arrira. Një artist si ai, i cili punonte e për të cilin vlen shumë të flasë kushdo që e ka njohur, e vuri vehten në rolin e regjizorit, të aktorit, të redaktorit të teksteve, e madje ai ka shkruar edhe vetë tekste për radio Tiranën e madhe, ku lindi dhe u rrit si mjeshtër i madh, po jo nga ata të dekoratave, sepse Paulin Shkjezi ishte dhe mbeti mjeshtër i teatrit të dëgjuar, i atij teatri që luan me emocionin, me pasionin, me efektet zanore, me tekstin, me muzikën, e me gjithshka që i duhet një profesioni e një vepre arti, për të cilën Paulin Shkjezi punoi deri sa pati fuqi. E kujtoj refrenin e madh gati gati të kënduar të Elsa Xhait që thoshte: Regjizor Paulin Shkjezi, dhe menjëherë vëmendjen e përqëndroja aty, tek kutia radio, se e ndjeja që do të më priste diçka fantastike. Ai luante lloj-lloj personazhesh, që nga Gishtoja, e deri tek çufoja, e të tjerë që nuk e kam zotësinë të them të drejtën t'i kujtoj.
Mjeshtri Shkjezi është, bashkë me të gjithë ata që punuan në radio Tirana, një shkollë e madhe arti, e pakrahasuar sot me këto pseudoemisione që bëjnë sidomos tv-të. Paulin Shkjezi, bashkë me mjeshtrat e tjerë, apelojnë sot, qoftë edhe me ikjen e tyre, që të rikthehen institucionet e vlerave në Shqipëri. Të rikthehet teatri i dëgjuar, poezia, fjala artistike, të rikthehen konkurset e teatrove, të muzikës, të të gjitha arteve, sepse vetëm kështu shoqëria shqiptare do të ndjejë pak ajër, atë ajër që ka kohë që i mungon. është për të ardhur keq, që shumë aktorë, mbeten me muaj të tërë në pritje të një vepre, kur fare mirë ata mund të interpretojnë në radio, të shpërndahen në internet, dhe njerëzit, të jeni të sigurt që do t'i ndjekin dhe do të përsosin shijet e tyre, por njëkohësisht edhe këtyre artistëve do t'iu zbutet shija e egër dhe e hidhur e mungesës së shfaqjeve, helm i cili po i vret përditë artistët.
Ja pra, pse i duhen artit shqiptar njerëz si Paulin Shkjezi, mjeshtra si Xhelil Aliu, Valdete Bica, Engjëll Nazari, Kristaq Katundi etj. Ja pra, pse duhen vlerësuar këta idhuj të vërtetë të artit shqiptar, pse duhen vlerësuar aktorët, shkrimtarët që kanë punuar në radio Tirana, pse duhen vlerësuar kompozitorët, që kanë shkruar muzikë për teatrin në mikrofon, apo për radiodramatizimet e famshme. Sidoqoftë, veprat e xhaxhi Palit janë në arkivin e radios, dhe në zemrat tona, aty ku gëlon për vepra të reja, arti i madh i teatrit shqiptar dhe botëror. I paharruar.
Po cilat ishin vlerat e vërteta të teatrit që krijoi Paulin Shkjezi?
Paulin Shkjezi nuk ishte thjeshtë një regjizor. Ai ndërtonte figura artistike përmes teknikave kompozicionale, aftësi që duhet t'i ketë regjizori. Ai luante shumë me efektet zanore, duke i bërë këto efekte një personazh aktorial në dramat që vinte në skenën mikrofon të radios. Sigurisht që ai gjeti në radio një terren të shtruar për veprat që krijoi, por këtë teren që e sollën nga jashtë regjizorët e parë Stillu, Mani, Spahivogli, e deri tek Arbana, Orgocka, e Aliu, e të kujtosh operatorë si Xhafer Zavalani, e mjeshtra si Kristaq Katundi e Sokol Bllaca, me të vërtetë që duhet të matesh e të flasësh për një punë kolosale terreni që nuk arrihet sot, dhe nuk do të arrihet edhe për shumë kohë.
Mjeshtri Shkjezi, duke ndjekur edhe origjinën nga babai, e kishte genetike prirjen e dramës, kështu që e vuri atë në jetë me të gjithë pasionin, ku me të, sendërtoi vlera e simbole pune, përmes regjizurës, përmes lojës si aktor, përmes shkrimit të teksteve, sepse, veç të tjerave, ai ishte edhe njohës i prirur për letërsinë. Fat i mbrothë, kur një regjizor shkruan letërsi, dhe sidomos bekim i lumë, kur letërsinë e bën aktore në dramat që viheshin në skenën mikrofon.
Vlen këtu të shkruajmë se mikrofoni është një skenë, një paraskenë provë për skenën e madhe, jo vetëm për aktorin, por edhe për këngëtarin dhe kompozitorin. Nëse kalon prova e skenës imagjinare me tipare librore, sepse edhe libri të bën të imagjinosh, ndaj s'e humb forcën, imagjino sa bukur kalohet sprova e vërtetë me skenën e madhe dhe të vështirë, dhe me spektatorin akoma edhe më të vështirë se skena.
Ta bësh spektatorin të heshtë, kjo është sfida sot për artistin, dhe Paulin Shkjezi e bënte radio-spektatorin të heshtte dhe ta dëgjonte. Gjenden plot dëshmitarë që mund të mendojnë kështu si unë. Një memo e vogël për regjizorin e madh Paulin Shkjezi, më bëri të bëj apel për ministrinë e kulturës, për radio televizionin shqiptar, për teatrin kombëtar, për teatrot e rretheve, që të vënë në zbatim idenë e teatrit të dëgjuar, të hartojnë projekte për zhvillimin e tij, të përdoren si shembuj edhe veprat e lëna nga mjeshtri Shkjezi. Ato peshojnë shumë në arkiv, dhe në shpirtin e dëgjuesit shqiptar, ndaj nuk duhet t'iu prijë harresa. Le të jenë këto fjalë një shkëndijë haleluja për mjeshtra si Paulin Shkjezi, që koha dhe Shqipëria i detyrohet shpirtërisht, dhe artistikisht përjetë.