
BEOGRAD- Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, sot ndodhet në një vizitë pune njëditore në Bruksel, ku do të marrë pjesë në raundin e ri të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Por përveç politikës, Vuçiç ka folur edhe për dështimin e ekipit të futbollit në kompeticionin e Kampionatit Europian "Euro 2024".
Në fjalën e tij, sipas mediave serbe, Vuçiç nuk është fare i kënaqur me atë që bëri skuadra e "Shqiponjave", duke lënë të kuptohet se shumë më mirë se ta kanë dalë kuqezinjtë e Shqipërisë. Kjo pasi në një moment përmend faktin që eliminimi është i pranueshëm në rast se humb ndaj Spanjës, skuadër e cila mundi Shqipërinë me rezultatin 1-0.
"Jam dakord që është sport, gjithçka është sport, vetëm se ne kemi dhënë shumë para për atë sport dhe kemi investuar shumë. Njerëzit në Serbi meritojnë rezultate më të mira. Nuk është problem të humbasësh nga Anglia, nga Gjermania, Spanja, por është problem kur humbet nga Sllovenia, e cila kushton tre herë më pak se skuadra serbe. Si të gjithë jemi të kënaqur, të lumtur? Nuk jemi një vend banane! Kemi investuar shumë në infrastrukturë dhe në paga të zyrtarëve, investojmë para të mëdha, qytetarët merituan rezultat më të mirë,"-tha presidenti serb.
Futbollistët e Serbisë luajtën tri ndeshje në Kampionatin Evropian të Gjermanisë dhe fituan vetëm dy pikë. Fillimisht u mposhtën nga Anglia (1:0), më pas barazuan me Slloveninë (1:1), dhe më pas me Danimarkën (0:0). Por 2 pikë nuk u mjaftuan dhe u eliminuan që në fazën e grupeve të "Euro2024"./ZËRI