
FUSHË KOSOVË- Një video e një gruaje që dëmton me çekiç disa makina ka qarkulluar ditën e sotme, 8 gusht, në internet. Ngjarja ka ndodhur në Fushë Kosovë dhe nuk i ka shpëtuar filmimit të banorëve dhe kalimtarëve.
Gruaja teksa godiste makinat dëgjohej duke thënë, "Edhe ku e ka lan keq a? Thirre policinë".
Në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar edhe Policia e Prishtinës, ku ka konfirmuar se kanë arrestuar të dyshuarën dhe se ajo është dërguar për trajtim mjekësor pasi ka pësuar disa lëndime, gjithashtu edhe për një ekzaminim psikiatrik.
Njoftimi i Policisë:
“Rreth orës 10:00, kemi pranuar informatën për dëmtimin e tri automjeteve në rrugën ‘Xhemajl Mustafa’ në Fushë Kosovë. Policia menjëherë ka arrestuar personin e dyshuar, e cila është dërguar në QKUK, për trajtim mjekësor ( është lënduar) dhe ekzaminim psikiatrik.
Ndaj të dyshuarës B. M., femër është hap rast, për veprën penale ‘asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë’. Pas përfundimit të trajtimit mjekësor, do të kryhen procedurat e nevojshme hetimore në koordinim me prokurorinë”/ ZËRI