
TIRANË- Ndeshja e futbollit mes skuadrës së Vllaznisë dhe Tiranës është kthyer në një sherr masiv boksi! Të shtunën që kaloi në Kompleksin “Skënder Halili”, ndeshja e vajzave në futboll mes ekipeve të Tiranës dhe Vllaznisë degjeneroi në dhunë dhe u ndërpre pas vetëm 22 minutave në fushën e blertë. Shkak është bërë përplasja e nisur në pankinë mes presidentit të Vllaznisë, Lazër Matisë dhe djalit të presidentit të Tiranës, Gent Halilit. Burime të "Zëri", të cilët kanë qenë në stadium momentin e sherrit kanë bërë me dije detaje sesi ka nisur përplasja.
"Dinamika është se në minutë të 22-të ndërpritet ndeshja për shkak të një faulli të akorduar, zotëria (Lazër Matlija) del nga pankina e tij bashkë me të gjithë shoqëruesit e tij edhe vjen 30 metra tek pankina e Tiranës. Aty nis të konfliktohet me djalin e presidentit të Tiranës, Refik Halilin, Gentin. Pranë tyre ka qenë edhe nipi i presidentit të Tiranës, i cili grushtoi presidentin e Vllaznisë, duke nisur edhe përplasjen masive në stadium. Pas kësaj pike të gjitha vajzat vrapojnë për të mbrojtur pankinën e tyre. Në flagrancë e sipër zotëria (Lazër Matija) shtrin në tokë drejtoreshën e femrave edhe nis ta godasë në kokë. Më pas, të njëjtën gjë i bën edhe portjeres së Tiranës. Në atë pikë ndahen dy kampet dhe nuk merret gjë vesh,"-thotë për Zëri, një nga personat që kanë qenë dëshmitarë të ngjarjes.
Ndërkohë skuadra mike, Vllaznia pretendon që prej fillimit të ndeshjes vajzat janë hasur me dhunë psikologjike dhe ofendime nga vendasit, ndërsa vajzat bardhëeblu pretendojnë se janë provokuar nga kundërshtarët e tyre. Të dy grupet kanë dalë me një deklaratë zyrtare lidhur me ngjarjen.
Reagimi i Tiranës:
Situata ka eskaluar, ku drejtuesit e Vllaznisë Femra, janë larguar nga pankina e tyre dhe kanë ardhur në pankinën e skuadrës së Tiranës dhe kanë nisur të shfaqin akte të tmerrshme dhune e të godasin stafin teknik, drejtuesit e klubit të Tiranës Femra si edhe futbollistet. Klubi i Vllaznisë Femra ka dhunuar barbarisht drejtoreshën e klubit të Tiranës, Edonisa Aliaj, portieren Delvina Dyrmishi dhe futbollisten Flondra Behrami. Dhuna ndaj grave edhe vajzave është një shkelje e përhapur e të drejtave të njeriut dhe një problem global i shëndetit publik me përmasa epidemike. Ne si klub, presim zbardhjen e kësaj çështjeje nga organet kompetente dhe jemi të gatshëm të bashkëpunojmë deri sa ngjarja të zbardhet plotësisht e aktorët që po shkatërrojnë futbollin “Fair Play”, të marrin dënimin e merituar.
Reagimi i Vllaznisë:
Lojtaret e KFF Vllaznia dhe zyrtarët e saj të ndodhur në kushtet e mbrojtjes ekstreme dhe pa prezencën e forcave të rendit të cilat janë informuar nga trajneri i KFF Vllaznia, përballuan me dinjitet sulmin e paprecedent të organizatorëve të këtij takimi nëpërmjet personave civilë të future nga katër anët e fushës!!! Dëshirojmë të njoftojmë të gjithë opinion publik se lojtaret dhe zyrtarët e KFF Vllaznia kanë marrë menjëherë ndihmën e parë mjekësore në urgjencën e Spitalit dhe gjendja e tyre shëndetësore tashmë paraqitet e stabilizuar. Nga ana tjetër organizatorët e këtij takimi përtej detyrimit të shprehur qartë në rregulloret e aktivitetit për organizatorët e këtij takimi që të “garantojnë sigurinë e zyrtarëve të ndeshjes, lojtarëve dhe zyrtarëve t ë ekipit mik gjatë qëndrimit të tyre;” reagimi i menjehershëm mediatik i fajtorëve të zënë në faj nuk i shërben distancimit nga sjelljet e dhunshme të ndodhura ndaj miqve në shtëpinë e tyre!
Pra, të dy palët akuzojnë njëra-tjetrën për nisjen e dhunës. Aktualisht, në Policinë e Shtetit janë depozituar 4 kallëzime penale, 2 nga skuadra e Tiranës dhe 2 nga e Vllaznisë. Kjo pasi disa nga vajzat, kanë pasur dëmtime të lehta në pjesën e fytyrës si pasojë e sherrit dhe kanë përfunduar në spital. Por të gjithë dinamikën e plotë pritet që ta zbardhë Policia e Shtetit. Pas interesimit të ZËRI, është mësuar se çështja është marrë nga Komisariati nr.6 dhe drejtoria e Krimeve.
Policia pritet të bëjë veprime në marrjen në pyetje të dy stafeve teknike si edhe këqyrjen e kamerave filmike për të zbuluar sesi ka nisur sherri. Po ashtu, një hetim paralel e ka nisur edhe Komisioni i Disiplinës, në varësi të Federatës Shqiptare të Futbollit. Por edhe nuk ka dalë me një version final lidhur me atë që ka ndodhur të shtunën. Aktualisht, të dyja skuadrat kanë nga 19 pikë dhe ndajnë kreun e renditjes, por siç duket, kjo ndeshje do të 'vulosë' fatin e këtyre dy ekipeve, për renditjen në listë dhe jo vetëm.../Zëri