
TIRANË- Artisti i madh, Sandër Ruçi, mik dhe koleg i aktorit Zef Deda, i cili u nda dy ditë më parë nga jeta, ka zbuluar se ata nuk flisnin prej 20 vitesh. Edhe pse ishin rritur bashkë, kishin ngrënë bashkë në një shtëpi… jeta e tillë është, ndonjëherë sjell ndarje edhe aty ku më pak e pret.
Megjithatë, “ndarja” e tyre siç thotë dhe vetë Ruçi nuk qe kurrë shpirtërore, ndërsa e ka pushtuar pikëllimi për këtë humbje.
Në një postim mjaft të ndjerë në faqen e tij në Facebook, Ruçi tregon se kanë qenë miq fëmijërie dhe i jep lamtumirën virtualisht, duke shpresuar që shpirti i të ndjerit të prehet në Parajsë.
Postimi i plotë: Reflections, post mortium. Të përcolla nepërmjet ekranit, ku me artin tand ikonik u bane padron i tijë te paktën për tri dekada, para kryqit të shejtë.
I vetëm në shtëpinë teme ku dikur bukën e groshën nana e jeme Pina, na e ndante shumë e shumë herë në dy pjata, ndeza nji qiri e para tijë duke thanë lutjet liturgjike kristiane për ktë dhimbje të cilën vazhdoj sinqerisht ta përjetoj patologjikisht u luta për shpirtin e trupin tand tashma të shprishun, preferova kshtu të anashkaloj mediat që ti me Emnin e madh që le qove në kambë ato, e shtetin e pikëllove.
Kombin, por edhe që u pushtuan nga, Uriahipët e hipokrizia e të cileve na armiqsoi të dyve duke më privu lirinë për të ta ba homazhin e fundit, nuk djehem fajtorë, por në ktë periudhë te gjatë të ndarjes sonë toksore, (por jo shpirtnore) për rreth 20 vjet!!!!
Jena të dy, fajtorë pa faj, ndaj sot sigurisht ti je ma i mirë njerëzisht se te tanë ne toksorët se u bane Qiellor e në jetë te vërtetë, kshtu që e kishe detyrë qytetare ta baj këtë Homazh, si nji mik i bukës së vjeter e shpirtnisht uroj të keshë mrritë Parrizin, miku i fminisë.
Ndërkohë në një intervistë në Euronews, Ruçi ka zbuluar më shumë detaje, dhe mbi mungesën e tij në homazhet për Zef Defën.
“Ishemia ka bërë punën e vetë, goditjet kanë qenë të njëpasnjëshme… E kam dit që ka qenë i sëmur, por unë jo se nuk jam interesuar, por nuk kam shkuar ta shikoj. Për të mos qenë hipokrit nuk më vjen keq që nuk kam shkuar ta shikoj, sepse nëse do të më kishte ardhur, do të kisha shkuar.
Unë e kam një fije karakteri të vështirë. Nuk kam qejf që duke qenë në këmbë, duke qenë gjallë… Jam më i vjetri sot për sot pas Zylyha Milotit në skenë prej atyre që kanë mbetur gjallë. Unë skam ardhur për të dhënë llogari”, është shprehur Ruçi.
/Zëri.ai