
ROMË- Balerini i njohur Kledi Kadiu së fundmi gjatë një interviste për revistën italiane Diva e Donna ka folur për jetën e profesionale, por edhe atë familjare. Kledi nuk ka hequr dorë nga kërcimi, as tani në moshën 50-vjeçare. Ai gjithashtu ka shkollat e tij “Kledi Dance” ku jep mësime kërcimi për studentët e rinj. Kadiu gjithashtu tha se do të rikthehet së shpejti në televizion dhe do ta shohim duke kërcyer me aktoren Geppi Cuçiari, e cila sipas tij është një perfeksioniste.
Kledi gjithashtu “kritikoi” balerinët e rinj. Sipas tij, ata nuk janë më si më parë, pasi balerinët, në kohën e tij, menjëherë sapo shkonin në studio përgatiteshin për provat, ndërsa tani ata qëndrojnë ulur.
“Sot ata janë pak apatikë. Ata nuk janë 'të uritur'. Kur unë dhe shokët e mi të klasës hynim në dhomën e provave në moshën e tyre, menjëherë fillonim të ushtroheshim. Sot kur hyj i gjej të ulur", ka thënë ai.
Kledi foli dhe për jetën e tij personale. Ai tha se vajza e tij 8 vjeçe, Lea, është asistentja e tij. Dhe asaj ashtu si ai i pëlqen të kërcejë. Kledi tha se nuk do të ndërhyj asnjëherë në karrierën dhe zgjedhjet që do bëjë e bija.
“Për momentin ajo është asistentja ime e vogël. Ajo pëlqen hip hopin, por ëndrrat e saj po ndryshojnë vazhdimisht. Dhe unë nuk i bëj asnjë presion asaj”, është shprehur Kledi.
Ai gjithashtu foli edhe për gjendjen e djalit të tij të vogël, Gabrielit, i cili vuan nga një sëmundje e rëndë për shkak të menigjitit.
“Dhe pastaj është Gabrieli, i cili vuan nga një sëmundje e rëndë. Njëmbëdhjetë ditë pas lindjes ai u prek nga meningjiti. Duhet një person që ta ndihmojë gjatë gjithë kohës. Tani Antonio Tripodo po e ndjek, me një metodë vërtet befasuese: 'Ushtrimet Cuevas Medek'. Pas vetëm dy seancash, Gabrielit, kur i kërkuam, mundi të mbajë kokën drejt. Por terapia duhej të bëhej shumë herët. Ka familje që fshehin sëmundjen e fëmijës së tyre, më vjen keq për këtë. Gjithmonë duhet të shpresojmë për përmirësim”, tha balerini. /ZËRI