
ITALI- Rikardo Orsolini është në një kryqëzim vendimi për të ardhmen e tij: të rinovojë kontratën me Bolonjën deri në vitin 2027 dhe të bëhet lideri i një skuadre që synon Ligën e Kampioneve, apo të kalojë te një klub i madh si Napoli. Sulmuesi italian këtë vit ka qenë vendimtar në ndeshjen ndaj Interit dhe po kalon formën më të mire të karrierës së tij.
Nën drejtimin e Vincenzo Italianos, ka shënuar 12 gola këtë sezon. Napoli ka nisur kontaktet për ta afruar, duke parë nevojën për përforcime në fazën sulmuese, sidomos në krahun e djathtë.
Milani vazhdon bisedimet me Igli Tare për rolin e drejtorit sportiv, me një takim vendimtar që pritet të ndodhë në fillim të majit për të mbyllur çështjen përfundimisht. Ylli kuqezi, ish-drejtori sportiv i Lacios, shihet thuajse i sigurt për marrjen e pozitës drejtuese tani që kundërkandidatët e tjerë duken të lënë pas.
Renato Veiga do të largohet nga Juventus, kjo nuk do të thotë se do të kthehet te zotëruesit e kartonit të tij, Çelsi. Totenhami ka nisur lëvizjet për ta afruar si zëvendësues të mundshëm të Kristian Romeros. Fiorentina ka kontaktuar agjentin e gjermanit Tomas Myler për të studiuar një transferim të mundshëm në Serie A, edhe pse kërkesat financiare të lojtarit janë pengesë. Bajerni i Mynihut nga ana e tij po sheh drejt Firences për Moisi Kinin, me klauzolë 52 milionë euro në korrik./ZËRI