
TIRANË- Derbin nr. 178 të kryqytetit, Tirana-Partizani, e fituan bardheblutë. Në Arenën Kombëtare, përpara 10 mijë tifozëve të pranishëm, Tirana siguroi 3 pikë duke u barazuar me Teutën e vendit të tetë, por pas saj, në një vend të tabelës që nuk garanton qëndrimin. 35 pikë të dyja, Teuta dhe Tirana.
Fitorja sot pasdite e Elbasanit, 1-2 kundër Egnatias në Rrogozhinë, i dha një shtysë dhe tension të pamatë derbit në Tiranë.
Sa i takon lojës, të fituar 3-0 nga Tirana, dy gola u shënuan në pjesën e parë dhe i treti në të dytën. Jarmuni shënoi në minutën e njëzetë dhe të dyzet e një, ndërsa Ernest në të gjashtëdhjetë e tetën.
Tirana u tregua më këmbëngulëse dhe prania e saj, me disa elementë të bukur të lojës me vertikalizime, ishte më e dukshme në fushë.
Tirana do të udhëtojë në Korçë për t'u përballur me Skënderbeun, do të presë Teutën në një finale të qëndrimit në Ligë të parë dhe javën e fundit do të ndeshet me Dinamon. Tre javë nga fundi asgjë nuk dihet për skuadrat që do t'ia dalin të qëndrojnë, pasi Skënderbeu dhe Bylisi, me 36 pikë, renditen vetëm një pikë mbi Teutën dhe Tiranën. Katër skuadra në 3 javë, me 9 pikë endr në lojë, 1 pikë larg njera-tjetrës, do të diskutojnë qëndrimin në Superiore. Njera prej tyre do të dorëzohet./ZËRI