
ITALI- Tanimë është zyrtare. Janik Sineri do të rikthehet në fushë në Turneun Masters 1000 të Romës pas pezullimit tremujor. Turneu Masters 1000 i Romës do të zhvillohet nga data 7 deri më 18 maj në fushat e Foro Italikos. Rikthimi i Sinerit do të vijë pas pezullimit tremujor nga Agjencia Botërore Antidoping (WADA), për shkak të përdorimit të substancës së ndaluar Clostebol.
Sineri, siç e kemi raportuar edhe më parë në Zëri, ia ka dalë që pavarësisht mungesës në fushë, ta ruajë pozicionin si tenisti nr. 1 në Botë, në renditjen botërore ATP për plot 44 javë. Kështu ai ka kaluar legjendën braziliane Gustavo Kuertën, i cili qëndroi 43 javë në krye. 237 javë si numër 1 është rekordi absolut i sportit të tenisit, i shënuar nga Roxher Federer.
Në këtë edicion të Roma Masters, Siner nuk do të jetë italiani i vetëm.
Lorenzo Museti (nr. 16), Mateo Berretini (nr. 34), Flavio Kobolli (nr. 36), Mateo Arnaldi (nr. 40), Lorenzo Sonego (nr. 41), Luciano Darderi ( nr. 48) dhe Matia Belluçi (nr. 66) janë disa tenistë italianë.
Federata Italiane e Tenisit ka planifikuar një pritje të veçantë për kampionin, duke i vënë në dispozicion një suitë personale në Foro Italico për të dhe familjen e tij si dhe një protokoll të veçantë pritje, nderimi dhe shoqërimi./ZËRI