
MILANO- Kristian Vieri, ish-sulmuesi i Interit, Juventusit, Lacios dhe Milanit, së fundmi folës televiziv sportiv shumë i ndjekur dhe i komentuar në opinionin publik sportiv italian, ka komentuar në SportMediaset për zhvillimet e fundit në Serinë "A".
Lidhur me vendimin për të ndërruar trajner nga drejtuesit e Juventusit, ai u tregua hezitues: “Nuk e kam idenë nëse kanë bërë mirë, nuk jam Harry Potter,” tha ai me humor.
Në lidhje me ndeshjen e së hënës mbrëma, Napoli-Bolonja, ai analizoi si vijon: “Kur Inter barazon me Parmën, Napoli ka një rast të mirë të rikuperojë. Mirëpo Bolonja është në një formë të mirë – do të jetë një ndeshje e bukur”.
Për ish-skuadrën e Interit, ku dikur u shqua si "bomber" në disa kampionate rresht, Vieri është optimist për të ardhmen, por jo determinist, ai le një dritare hapur për të papriturat: “Kanë një skuadër të madhe, me lojtarë për çdo rol, nuk kanë një pankinë të mangët. Mund të fitojnë gjithçka, por edhe mund të shkojë keq – gjithçka është e mundur”.
Për vendimin e drejtuesve të Juventusit për të shkarkuar italo-brazilianin Mota e për ta zëvendësuar atë me Tudorin, Bobo Vieri u tregua më pak evaziv se sa në përgjigjet e tjera: “Nuk e di çfarë ndodhi, ndoshta nuk ishin të kënaqur. Tudori është trajner i mirë (...) Unë s'do e ndërroja kurrë trajnerin gjatë sezonit. Në Itali nuk të jepet kohë për të ndërtuar, gjithçka kërkohet menjëherë. Pa durim del vetëm një kaos”./ZËRI