
GJERMANI - Prodhuesi i makinave elektrike Tesla do të pezullojë kryesisht aktivitetin në fabrikën e tij ‘Giga’ pranë Berlinit, për shkak të vonesave të transportit të shkaktuara nga sulmet e Houthi në Detin e Kuq.
Kompania e Elon Musk tha të enjten se së shpejti do të përballet me probleme të zinxhirit të furnizimit, për shkak të krizës së vazhdueshme të shkaktuar nga rebelët Houthi të mbështetur nga Irani, të cilët kanë shënjestruar anijet tregtare me raketa dhe dronë në rrugën ujore detare, që nga dhjetori.
Milicia shiite, një aleate e grupit militant palestinez Hamas, pretendon se synon ekskluzivisht anijet e lidhura me Izraelin, në mes të sulmeve të vazhdueshme të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit në Rripin e Gazës.
Prodhimi i automjeteve Tesla do të ndalet midis 29 janarit dhe 11 shkurtit në objektin Berlin-Brandenburg, me përjashtim të disa seksioneve të montimit. Fabrika e Teslës në Gjermani punëson më shumë se 11,000 njerëz dhe prodhon rreth 250,000 makina në vit.
Linjat kryesore të transportit të mallrave, si Kompania e Transportit Mesdhetar, Maersk dhe Hapag-Lloyd, vendosën më herët të devijojnë flotat e tyre larg Detit të Kuq dhe Kanalit të Suezit të Egjiptit drejt Kepit të Shpresës së Mirë rreth Afrikës së Jugut. Lëvizja e mallrave midis Azisë dhe Evropës u bë menjëherë më e kushtueshme.
Tesla është prodhuesi i parë i madh, që ka ndërprerë aktivitetin e prodhimit, për shkak të sulmeve në Detin e Kuq. Geely e Kinës dhe IKEA e Suedisë paralajmëruan më parë për vonesa të mundshme të dërgesave. Të enjten mbrëma, një koalicion i SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe forcave aleate ndërkombëtare kryen sulme ajrore kundër pozicioneve të Houthi-ve në Jemen. Grupi militant u zotua të premten në mëngjes se nuk do të pushojë sulmet e tij kundër anijeve./ZËRI/