
E ardhmja e Thomas Strakoshës duket larg Anglisë, pas dy viteve te Brentfordi, aty ku nuk arriti dot kurrë të shkëlqente. Portieri i Kombëtares shqiptare pritet të gjejë një klub të ri këtë verë dhe mediat greke theksojnë se ai është shumë pranë transferimit te AEK-u i Athinës.
Strakosha siç përflitet prej disa ditësh është në radarët e klubeve të Seria A, me Fiorentinën që ka bërë hapa konkret për 29-vjeçarin. Violët janë duke e konsideruar seriozisht portierin shqiptar, pasi qëndrimi i Terazzianos nuk konsiderohet i sigurt dhe Strakosha është i favorizuar pasi e njeh mjaft mirë futbollin italian.
“Corriere dello Sport” konfirmon interesimin e skuadrës italiane dhe në të njëjtën kohë zbulon se Brentford kërkon 4 milionë euro për ta lënë Strakoshën të largohet nga Londra. Sakaq, portier kuqezi është edhe në listën e dëshirave të AEK-ut. Verdhezinjtë pas largimit të Stankoviçit dhe Athanasiadis synonin Alberto Brignoli, por 32-vjeçari pritet të përfundojë kalimin te gjermanët e Union Berlin. Tashmë çdo gjë pritet të mësohet në javët në vijim, me Strakoshën që do ta shohim me një klub të ri këtë sezon, me 29-vjeçarin që shpreson të gjejë formën dhe minutat e munguara.