
GJERMANI- DFB Pokal– Arminia e Bilefeldit siguroi finalen e parë të Kupës në historinë e klubit. Stadiumin ‘’Alm’’ dje nuk e vizitonte një skuadër dosido, por kampionia në fuqi e Bundesligës, fituesja e DFB Pokalit në fuqi dhe finalistja e Ligës së Evropës, Bajer Leverkuseni i drejtuar nga Ksabi Alonsoja. 27 mijë tifozët e Arminias së Bielefeldit e besuan dhe e plotësuan ëndrrën e tyre: kampionët në fuqi, Goliathi, u dorëzua përpara këmbënguljes davidiane të Arminias. Për shumëkënd mbase është me vend të kujtohet shpesh: Arminia e Bilefeldit renditet e katërta në Ligën e Tretë gjermane. Ripërsërësim: në kategorinë e tretë.
Për të arritur në gjysëmfinalen ndaj Bajer Leverkusenit, ajo pati fituar më 25 shkurt 2 me 1 ndaj Verder Bremenit, skuadër e Bundesligës. Më herët, më 3 dhjetor, në raundin gjashtëmbëdhjetësh, pati fituar 3 me 1 ndaj Freiburgut, skuadër e Bundesligës. Më herët pati fituar edhe ndaj Union Berlinit, 2 me 0 më 30 tetor të vitit të shkuar në raundin e dytë, skuadër e Bundesligës. Ndërsa në raundin e parë kishte fituar 2 me 0 ndaj Hannover 96, skuadër e Bundesligës 2.
Që nga themelimi i Bundesligës në sezonin 1963/64, një ekip i kategorisë së tretë fiton pesë ndeshje radhazi kundër skuadrave të Bundesligës. Në ‘’Alm’’, përpara 27 mijë tifozëve, ata e shpunë më tej këtë fabulë magjike: e shpërblyen veten me finalen e kësaj kupe.
Ndeshja
Arminia e Bilefeldit nuk la të kuptohej në asnjë matës të ndeshjes se vinte nga kategoria e tretë, për nga raporti cilësor që ndërtoi me kundërshtarin. 48-52% kontrolli I topit, por mundësitë e arta për gol ishin 4-1 për blutë, tre herë iu desh ta shpëtonte në rastet fatale portën Hradecki i Leverkusenit. Arminia dëshmoi edhe një cilësi prej skuadre të madhe: reagimin e menjëhershëm. Në minutën e shtatëmbëdhjetë Tah kaloi në avantazh Leverkusenin. Tre minuta më pas Uorli barazoi. Në minutën e dyzetë e tretë Groberi kaloi në avantazh të tijtë. Leverkuseni, përveç një njëzetëminutëshi në pjesën e dytë, nuk tregoi as presingun karakteristik dhe as koordinimin dhe organizimin e mëparshëm.
Statistikat
Arminia e Bilefeldit do ta diskutojë finalen e Kupës së Gjermanisë me njerën nga dy gjysëmfinalistet e nesërm, Shtutgarti dhe Lajpcigu. Deri më tani, vetëm tre ekipe të kategorisë së tretë – Herta e Berlinit, Enerxhe Kotbus dhe Unioni i Berlinit – kanë arritur në finalen e DFB-Pokal, por asnjë prej tyre nuk ka arritur të fitojë. Herta e Berlinit humbi 1-0 ndaj Bajerit të Leverkusenit në vitin 1993 me golin e Kirshtenit, Enerxhe e Kotbusit humbi 2-0 përballë Shtutgartit me dy golat e brazilianit Elber në vitin 1997, në vitin 2001 Unioni i Berlinit humbi 2 me 0 përballë Shalke 04-s me dygolësh të Bohmes.
Financat
‘’Kickers’’ paraqiste dje shifra se ç’mund të ndodhte me Arminian nëse klubi i kategorisë së tretë, me shumë vështirësi financiare, do të arrinte në finale apo do të fitonte Kupën e Gjermanisë. Vetëm me arritjen në gjysmëfinale, klubi siguron rreth 7.5 milionë euro (afërsisht 6.5 milionë euro nga shpërblimet dhe pjesa tjetër nga biletat). Në rast të kualifikimit në finale, Arminia do të përfitonte edhe 2.88 milionë euro nëse humb dhe 4.32 milionë euro nëse fiton. Klubi do të marrë 45% të të ardhurave nga biletat e gjysmëfinales dhe finales, duke e çuar fitimin potencial mbi 12 milionë euro, si fituese e Kupës. Nëse Arminia Bielefeld fiton DFB-Pokal, do të kualifikohej automatikisht në fazën e grupeve të Europa League, edhe pse pjesë e kategorisë së tretë gjermane dhe kjo do të ishte edhe më interesante.
Shqiptarët
Arminia e Bilefildit është një klub shumë i njohur për shqiptarët, për gjashtë vjet Fatmir Vata luajti 140 ndeshje dhe shënoi 20 gola për ta (2001-2007), Klodian Duroja ka luajtur 21 ndeshje për gjashtë muaj, në gjysmën e parë të vitit 2005 për ta, Ervin Skela ka luajtur 37 ndeshje dhe ka shënuar 3 gola për atë skuadër në sezonin 2004/2005. Besart Berisha po ashtu ka luajtur për dy vjet, 2009-2011, 30 ndeshje e 2 gola për blutë./ZËRI