
TIRANË- Kombëtarja shqiptare do të luajë mbrëmjen e sotme ndeshjen e parë për Ligën e Kombeve kundër Ukrainës në stadiumin “Epet Arena” në Pragë, duke nisur në orën 20:45. Pas një viti nga barazimi historik në Pragë kundër Çekisë, ku Nedim Bajrami shënoi një gol spektakolar, kuqezinjtë shpresojnë të nisin aventurën e re me një fitore. Në këtë sfidë, trajneri Silvinjo ka përgatitur ekipin me një formacion të përbërë nga lojtarë që kanë fituar eksperiencë të rëndësishme në Kampionatin Europian.
Në konferencën për shtyp, trajneri Silvinjo la të kuptohet se në sulm, me gjasa Nedim Bajrami do të përdoret në krahun e majtë, si në ndeshjet kundër Kroacisë dhe Spanjës, ndërsa në mesfusha me shumë mundësi mund ti jetë besuar Qazim Laçit , Ylber Ramadanit dhe Kristjan Asllanit. Në sulm, Bajramit pritet t’i bashkohen Rei Manaj dhe Jasir Asani. Në mbrojtje, Silvinjo do të duhet të bëjë pa dy titullarët e zakonshëm, Albi Ajeti dhe Berat Gjimshiti, dhe në vend të tyre pritet të luajnë Marash Kumbulla dhe Ardian Ismajli. Mario Mitaj do të mbrojë krahun e majtë, ndërsa në të djathtë pritet një balotazh mes Elseid Hysajt dhe Ivan Balliut. Në portë do të qëndrojë Thomas Strakosha.
Data 7 shtator 2023, mbetet një datë e paharrueshme për Kombëtaren shqiptare dhe tifozët kuqezi. Ishte dita kur Shqipëria bëri kthesën e madhe drejt kualifikimit në Kampionatin Europian, falë një goli spektakolar të Nedim Bajramit. Në minutën e 66-të të ndeshjes, Bajrami lëshoi një goditje nga distanca, duke shënuar një nga golat më të bukur të kombëtares dhe duke i dhuruar Shqipërisë një pikë të vlefshme kundër Çekisë. Sot, një vit pas ndeshjes së 7 shtatorit 2023, Kombëtarja shqiptare rikthehet në Pragë për të luajtur sërish, por këtë herë kundër Ukrainës. Viti i kaluar solli fat për Kombëtaren shqiptare, me mbi 3 mijë tifozë që mbështetën nga afër ekipin në “Fortuna Arena”./ZËRI