
BRITANI E MADHE- Skuadra e Anglisë u përball me një proces 'rilindjeje' pas humbjes kundër Spanjës në finalen e Eurokupës, e cila shënoi humbjen e dytë radhazi në turne pas dështimit ndaj Italisë në vitin 2021. Pasojat e këtij rezultati i dhanë fund ciklit të drejtimit të skuadrës nga Gareth Southgate. Përkohësisht drejtimin e skuadrës e ka marrë Lee Carsley deri në konfirmimin zyrtar të emrit të ri.
Në një konferencë për shtyp, Carsley deklaroi se nuk do të këndonte himnin kombëtar të quajtur "God Save the King" dhe shpjegoi arsyet e këtij vendimi.
“Është diçka me të cilën kam luftuar kur luaja. Intervali mes nxehjes, daljes në fushë dhe vonesës së himneve... Është diçka që nuk e kam bërë kurrë. Unë kam qenë gjithmonë i fokusuar në lojërat dhe veprimet e mia të para të lojës. Isha shumë i fokusuar në lojë dhe është diçka që e kam trashëguar edhe si trajner”.
Deklaratat e tij shkaktuan një tërmet kombëtar të nxitur nga rivaliteti. Një nga komentet më të pamëshirshme u publikua nga gazetari Jeff Powell në gazetën Daily Mail: Lee Carsley duhet të shkarkohet sot nga FA (Shoqata e Futbollit të Anglisë). Refuzimi i tij për të kënduar himnin kombëtar është një tradhti dhe ai nuk është i përshtatshëm për të qenë trajner i Anglisë.
Në të njëjtën linjë ishte edhe reporteri Jason Burt, i cili bëri thirrje për largimin e tij në një rubrikë në gazetën Daily Telegraph.
"Nëse Lee Carsley nuk këndon himnin kombëtar, ai nuk mund të shpresojë të udhëheqë Anglinë."
Çështja e këndimit të himnit është një debat që nuk është aspak i ri, sepse as ish-mbrojtësi historik Gary Neville nuk e këndoi himnin për arsye të ngjashme me ato të supozuara nga Lee Carsley.
“Nuk e këndova herën e parë që luajta për Anglia, pjesërisht sepse i thashë vetes se e merrja seriozisht punën time dhe nuk do të këndoja para ndeshjes”.
Presidenti i atëhershëm i FA, Geoff Thompson, u përpoq ta bindte atë, por ai mbajti pozicionin e tij: Ata me kostume nuk mund të më thoshin se çfarë të bëja.
Gary Lineker, pjesë e skuadrës që arriti në vendin e katërt në Kupën e Botës 1990, është pjesë e kësaj liste.
“E urreja ta këndoja, ende e urrej. Kryesisht sepse jam jashtëzakonisht i keq në të kënduar. Nuk e di pse është kaq e rëndësishme.”
Anglia është pjesë e Ligës B2 në Ligën e Kombeve të UEFA-s dhe ndan zonën e saj me Irlandën, Finlandën dhe Greqinë. Pas ndeshjes me Irlandën, e radhës do të jetë sfida me Finlandën./ZËRI