
TIRANË- Deklaratat e aktorit të humorit Osman Azemi, se shqiptarët janë ziliqarë në raport me suksesin e shqiptarëve të Kosovës, kanë nxitur një sërë reagimesh në rrjetet sociale dhe jo vetëm, në të dyja anët e kufirit. Në mesin e personazheve publike që kanë reaguar është dhe aktori Julian Deda, i cili i kujton kolegut të tij Azemi, kohën kur vinte nga Kosova, për të qenë pjesë e spektaklit Portokalli. Juli shprehet se ndaj tyre nuk ka pasur asnjëlloj paragjykimi apo ndasie, ndërsa thotë se deklarata të tilla si ajo e Azemit mund të nxisin përçarjen.
View this post on Instagram
“E dëgjova me vëmendje deklaratën e kolegut tim nga Kosova, Osman Azemi, e para se e kam koleg, është artist, dhe është figurë publike. Dhe ajo që është më e rëndësishmja është shqiptar gjithashtu, vura re njëlloj mllefi, një lloj dashakeqësie. Shqipëria nuk e ka zili Kosovën, shqiptarët nuk kanë asnjë kompleks me shqiptarët e Kosovës, përkundrazi, ne prej vite bashkëpunojmë në shumë fusha. Ne na gëzon fakti që Granit Xhaka, Shaqiri e Rira Ora, ecin përpara, nuk e kemi kompleks, jemi shumë të lumtur për këtë.
Më kujtohet Osman kur ti vije nga Kosova për të marrë pjesë në Portokalli, në kohën kur Portokallia ishte në majat e veta, ne ju kemi respektuar dhe ju kemi dashur pa fund, do të doja që të mos i harroje këto momente. Ke qenë njësoj si ne, që ishim rezidentët e Portokallisë, do të thoja që duhet të bësh pak kujdes, dhe ta shohësh me bonses, ne na ka ndarë historia, ne jemi një komb, një gjak, një flamur.
Çfarë kemi hequr historikisht për ta hequr këtë gjuhë, nuk ëhstë mirë që të dalim në këto deklarata që nxisin përçarjen. Shqiptarët e Kosovës janë aq të zgjuar sa deklarata të tilla i hedhin në koshin e plehrave. Nuk po të them dil kërko falje, por ne jemi një, jemi një komb, jemi të gjithë shqiptarë”, shprehet Juli në një video që ka postuar në rrjetet sociale./ZËRI