
HUNGARI- Kombëtarja shqiptare ka fituar 3-0 miqësoren e parë para Evropian kundër Lihtenshtejnit të luajtur në Hungari. Broja shfrytëzoi në maksimum një asist të Bajramit, për të dërguar topin në rrjetë, duke çuar Shqipërinë në avantazh në pjesën e parë.
Me epërsinë minimale të rezultatit, ekipi i Sylvinhos shkoi në dhomat e zhveshjes, ndërsa pjesa e dytë e lojës ishte edhe më interesante. Jasir Asani shënoi golin e radhës me një goditje dënimi, duke i mahnitur të gjithë në minutën e 47-të. Shqipëria thelloi shifrat falë Ernest Muçit, në minutën e 67-të.
Sigurisht, ndeshja e radhës me Azerbajxhanin do të kërkojë një ritëm më të lartë dhe shumë më tepër impenjim nga lojtarët para ndeshjes së parë të Evropianit me Italinë më 15 qershor./ZËRI