
BRASILIA- Brazili, konsumatori i dytë më i madh në botë i kokainës, ka njoftuar zhvillimin e një trajtimi të ri inovativ për varësinë nga droga dhe derivati i saj, "crack". Bëhet fjalë për një vaksinë. Siç raportohet nga Agence France-Presse (AFD), me emrin "Calixcoca", vaksina eksperimentale kishte rezultate veçanërisht inkurajuese në testet e kryera në kafshët laboratorike.
Vaksina shkakton një përgjigje imune, duke rritur shpresat e studiuesve për të ndihmuar përdoruesit të thyejnë "ciklin" e varësisë. E thënë thjesht, kafshët që ishin të varura nga kokaina nuk janë më të varur nga ajo drogë e veçantë.
"Nëse trajtimi i vaksinës merr miratimin nga autoritetet kompetente, do të jetë hera e parë që varësia ndaj kokainës do të luftohet me një vaksinë,"-tha psikiatri Frederico Garcia, koordinator i ekipit që zhvilloi formulën e injektimit në Universitetin Federal të Minas Gerais.
Ekipi që zhvilloi vaksinën fitoi çmimin kryesor javën e kaluar në "Euro Health Innovation for Medicine", e vlerë 500,000 euro.
Sipas të dhënave të deritanishme, vaksina funksionon duke nxitur sistemin imunitar të pacientëve të prodhojë antitrupa që lidhen me molekulat e kokainës në qarkullimin e gjakut, duke i bërë ato shumë të mëdha për të pushtuar "qendrën e shpërblimit" të trurit, ku ilaçi normalisht stimulon nivele të larta kënaqësie dhe dopaminën.
Studime të ngjashme janë kryer në Shtetet e Bashkuara, "konsumatori numër 1 i kokainës në botë", sipas Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin. Por ato u ndalën kur provat klinike nuk treguan rezultate inkurajuese./Zëri.ai