
LONDËR- Federata e Futbollit do të forcojë mesazhet e saj për veshjen e ngjyrave jashtë shtëpisë, pasi qindra tifozë shqiptarë ndoqën ekipin e tyre nga seksionet e Anglisë në Wembley. Edhe pse nuk pati telashe gjatë ndeshjes që u fitua 2-0 nga "Tre Luanët", një numër i konsiderueshëm i tifozëve të shqiptarë u vunë re në zonat ku duhet të ishin vendosur vendasit.
Situata bëri që tifozët e Anglisë të ankoheshin në mediat sociale për një “pushtim” me “tone absolute” të mbështetësve shqiptarë në seksionet e rezervuara për tifozët vendas. “Daily Mail” raporton se tani zyrtarët e Federatës Angleze do t'i shkruajnë kujtdo që blen një biletë për t'i paralajmëruar se nëse do të dallohen në seksionet e Anglisë, do të nxirren nga stadiumi.
Përpara ndeshjes, FA punoi ngushtë me palën shqiptare dhe vendosi të dorëzojë 5,600 bileta, një nga shifrat më të mëdha për një skuadër vizitore që nga hapja e Wembley-t të ri. Stadiumi ka një kapacitet të plotë prej 90 mijë vendesh, teksa ndeshja Angli – Shqipëri pa rreth 83 mijë veta në stadium, nga të cilët mbi 20 mijë besohet të ishin shqiptarë.
Kjo shifër, dukshëm më e lartë se 5 mijë e 600 biletat në dispozicion, erdhi si pasojë e lehtësirave për të siguruar bileta sidomos nga shqiptarët me banim në Britaninë e Madhe.
Ndaj edhe tifozët u kanë shkruar email dhe i kanë lënë mesazheve Federatës. Një përdorues X komentoi: A mund të mos lejojmë që tifozët të marrin bileta në zonën e shtëpisë, Shqipëria ka pushtuar "Wembley"; ndërsa të tjerë pyesnin veten nëse atmosfera mund të kishte qenë ndryshe nëse vizitorët do të kishin arritur të shënonin, duke nënkuptuar se mund të kishte pasur tensione dhe përplasje.
Por tashmë duket se çdo gjë do të rregullohet dhe se nuk priten probleme të tilla të hënën, kur Anglia të përballet me Letoninë./ZËRI