
GJERMANI- Bota e Formula 1 dhe jo vetëm po ‘zien’ nga lajmi, se legjenda Michael Schumacher, mund të ketë bërë daljen e tij të parë publike që nga aksidenti i vitit 2013, që i shkaktoi atij pasoja të rënda për jetën.
Për më shumë se 11 vite, familja e tij është treguar hermetike në nxjerrjen e informacioneve për shëndetin e legjendës së Formula 1, ndërsa mediat e huaja raportojnë se ai mund të ketë qenë i pranishëm në dasmën e vajzës së tij Gina-Maria, që u mbajt pak ditë më parë në vilën e familjes në Mallorca.
Dasma u mbajt nën masa të rrepta sigurie, dhe të ftuarve iu morën telefonat për të parandaluar ndonjë rrjedhje fotografie, gjë që ka nxitur spekulimet për praninë e ish-pilotit.
Metro.co.uk raportoi se "dasma besohet të jetë hera e parë që Michael lejohet në publik që nga aksidenti i tij". Raporti titullohej "Michael Schumacher 'shihet në publik për herë të parë në 11 vjet'".
Ceremonia nuk ishte vetëm një moment i madh për familjen Schumacher, por edhe për fansat e Schumacher, që prej vitesh janë në ankth për shëndetin e tij. Edhe pse asnjë foto nuk është publikuar për të vërtetuar praninë e tij, media si Bild dhe The Mirror sugjerojnë se ai ishte atje, gjë që do të shënonte daljen e tij të parë publike pas 11 vitesh. Kjo ka dhënë shpresë për më shumë transparencë për gjendjen e tij shëndetësore.
Që nga aksidenti i tij me ski në Alpet Franceze me djalin e tij Mick, Schumacher është duke u mbajtur nën përkujdesje në shtëpinë e tij në Zvicër. Gruaja e tij, Corinna, i ka mbajtur gjërat shumë private, duke e mbrojtur ish-pilotin nga sytë e publikut. Përditësimi i fundit publik për gjendjen e tij ishte në vitin 2020 kur ai iu nënshtrua trajtimit me qeliza staminale./ZËRI