
FRANCË - Çmimi i Kylian Mbappes në “bursën” e futbollit ka rënë vazhdimisht muajt e fundit, në një vit që shumë besojnë se do të jetë i tiji, për shkak se pritet që ylli francez pritet të kalojë nga PSG tek Real Madrid. Sipas të dhënave nga Football Benchmark, vlera e yllit 25-vjeçar të Paris Saint-Germain në tregun e futbollit ka parë rënien e 4-të më të madhe në periudhën nga shtatori i kaluar deri në dhjetor 2023. Ai vlerësohet aktualisht vetëm 151.3 milionë euro dhe rezulton se ka pësuar një rënie prej 78.8 milionë eurosh krahasuar me çmimin në kulmin e karrierës, kur ai vlente plot 230.1 milionë euro në korrik 2022!
A është përgjegjëse për krizën marrëdhënia e tij me administratorët e PSG-së? Tashmë karriera e tij është në një fazë delikate. Mbappe ose rinovon tani me skuadrën franceze ose largohet. Analistët besojnë se shkaku kryesor i rënies shokuese të vlerës së Mbappe është se ai është lojtar i lirë. Duket se ka shumë zhvillime në lidhje me të, pa ditur saktësisht se çfarë po luhet në prapaskenë. Mbappe kishte parë rënie të vlerës së tij në botën e futbollit edhe në kohën e pandemisë, teksa më 2021 vlente 139.5 milionë euro.
A ka shanse sado të vogla që Mbappe të qëndrojë tek PSG? A ekziston mundësia që ai të kalojë tek Liverpool? Thuhet se spanjollët i kanë bërë një propozim Mbappesë për një kontratë 2-vjeçare, në mënyrë që ai të nënshkruajë nga janari, me një afat deri në mes të muajit. Pas aventurave të verës, francezi ka gjetur formën e tij dhe ka shënuar 25 gola në 24 ndeshje në të gjitha kompenticionet këtë sezon.
Informacionet e fundit mbi fatin e Mbappesë tregojnë për orët me rëndësi, që do të vulosin të ardhmen e sulmuesit të Francës. Footmercato ka raportuar se ai ka rënë dakord me Real Madridin që të veshë fanellën e madrilenëve pas 30 qershorit, me nënshkrimin e një parakontrate! Në të njëjtën kohë, The Times e “dërgon” atë në Liverpool, teksa nuk përjashtohet mundësia që ylli francez të luajë me Arsenal ose Mancheser City. Me siguri që nuk do të duhet shumë kohë për të zbuluar se me cilën skuadër do të firmosë Mbappe.

Rënia e vlerës në tregun e futbollit të sulmuesit të Francës
Mbappe humbi 16.4 milionë euro në vlerën e tregut, nga 167.7 milionë euro që ishte vlera e tij shkoi në 151.3 milionë euro, në një tendencë rënëse që filloi në korrik 2022 ( kur vlente 230.1 milionë euro). Vetëm tre lojtarë të tjerë pësuan rënie në tregun futbollistik, përkatësisht Gavi i Barcelonës (-19,2 milionë €), Jadon Sancho i Manchester United (-19,1 milionë €) dhe Rhys James i Chelseas. (-18,7 milionë €).
Emri i ‘djaloshit të artë francez’ figuron në një listë me lojtarë, që kishin arsye pse vlera e tyre ra. 19-vjeçari Gavi pësoi një dëmtim të rëndë në ndeshjen me Kombëtaren e Spanjës, kur spanjollët luajtën me Gjeorgjisë për kualifikueset e Euro 2024. Ai iu nënshtrua një operacioni në ligamentin e gjurit të djathtë dhe u përjashtua për gjithë vitin.

Vetëm 20 milionë dollarë nga sponsorizimet
Një pyetje tjetër është se çfarë efekti do të ketë gjithçka që po ndodh me të në merkato, në sjelljen e sponsorëve ndaj Mbappesë, i cili ishte mjaft selektiv në vitet e mëparshme dhe për një kohë të gjatë mbante distancë nga shumë kompani të mëdha, që dëshironin bashkëpunime. Nëse nënshkruan me Realin dhe transferohet në Spanjë, ai në mënyrë të pashmangshme do të detyrohet të përshtatet edhe komercialisht me kushtet dhe mjedisin e biznesit që do të gjejë në klubin e La Liga-s, një kampionat që është më i spikatur dhe më i fuqishëm financiarisht se Ligue 1 e Francës.
Francezi tradicionalisht ka mbetur pas yjeve të tjerë futbollistik për fitimet nga sponsorët, pasi ka fituar vetëm 20 milionë dollarë nga aktivitetet jashtë fushës, sponsorizimet dhe sipërmarrjet e biznesit në renditjen e vitit 2023, krahasuar me 90 milionë dollarë sipas Forbes të Cristiano Ronaldos dhe 65 milionë dollarë të Lionel Messit. Ai fitoi 100 milionë dollarë nga pagat dhe shpërblimet, teksa portugezi fitoi 46 milionë dollarë dhe argjentinasi 65 milionë dollarë.

Shtimi i fitimeve brenda dhe jashtë fushës e sheh atë të tretin në listë me 120 milionë dollarë, me CR7 të parin me 136 milionë dollarë dhe Messin me 130 milionë dollarë. Sponsorët e francezit përfshijnë veshjet dhe këpucët gjigante sportive amerikane Nike që nga viti 2006, orët e famshme zvicerane Hublot, LVMH Mowt Hennessy Louis Vuitton (Louis Vuitton, Dior, etj.), Oakley, Electronic Arts, Panini dhe video-lojëra sportive.
Në vitin 2020, EA Sports e zgjodhi atë për kopertinën e videolojës FIFA 21 dhe më parë ka bashkëpunuar me markën e ushqimit organik Good Gout dhe markën japoneze të bukurisë për meshkuj Bulk. Një tjetër investim i tij ishte në kompaninë e prodhimit të filmit “Zebra Valley”, e cila do të bashkëpunojë me Hollywood dhe NBA, me qëllim krijimin e përmbajtjeve audiovizuale për sport, kulturë, muzikë, teknologji dhe video lojëra. Ndërkaq, lojtari anglez i Real Madridit, Jude Bellingham aktualisht vlerësohet 170.5 milionë euro, 16.55 milionë euro më shumë që nga shtatori dhe siguron vendin e tij si futbollisti i dytë më i vlefshëm në botë, pas Erling Haaland të Manchester Cityt, që vlerësohet 194.3 milionë euro. Shoku i tij i skuadrës në Madrid, Vinicius Junior, vlerësohet 160.7 milionë euro, ndërsa Kylian Mbappe është i katërti dhe vlen 151.3 milionë euro./ZËRI/