Qytetërim

Pse po bën kaq zhurmë Festivali i RTSH-së? Nga tërheqja e Kejsit dhe Samantës, te Matoshi si prezantuese

Nga emri Elsa Lilës si pretendente, te tërheqja e papritur nga gara e Samanta Karavellës dhe Kejsi Tolës, pse po prodhon kaq shumë lajme Festivali i këngës në RTSH

E.K
Pse po bën kaq zhurmë Festivali i RTSH-së? Nga tërheqja e
Prezantimi i Matoshit

TIRANË- Festivali i Këngës në RTSH, që do të mbahet këtë vit në datat 19, 20, 21 dhe 22 dhjetor, ka nisur që të prodhojë shumë herët polemika. Kjo për shkak të emrave të mundshëm që u përfolën se do të ishin pjesë e garës, dhe mandej për disa konkurente të rëndësishme që hoqën dorë nga Festivali pas zyrtarizimit të emrave të tyre. Përkundër pritshmërive, ku u tha se do të ishin pjesë e Festivalit të RTSH-së Luiz Ejlli apo Elvana Gjata, kur lista zyrtare e pjesëmarrësve u publikua emrat e tyre mungonin.

Tërhiqen nga gara Kejsi Tola dhe Samanta Karavella

Dy këngëtaret e njohura të skenës shqiptare, vendosën pothuajse në të njëjtën kohë që të tërhiqeshin nga gara, ndërkohë që nuk kanë preferuar që të bëjnë asnjë koment mbi arsyet që i çuan drejt këtij vendimi. Zëri.ai ka kontaktuar me të dyja këngëtaret, por përveç konfirmimit se do të tërhiqeshin nga gara, ato nuk dhanë asnjë koment më shumë mbi arsyet. Ato janë zëvendësuar nga “Peter Pan Quartet” me këngën “Edhe një herë” dhe Irma Lepuri me “Më prit”.

Polemika dhe për prezantuesit

Pëveç këngëtarëve në garë, ndryshime në momentin e fundit duket se ka pasur edhe sa i takon emrave që do të prezantojnë festivalin. Fillimisht u tha se festivali do të drejtohej nga Almeda Abazi dhe Xhani Shqerra, ndërkohë që së fundi asnjë prej këtyre emrave nuk është zyrtarizuar. Dy ditë më parë drejtuesit e festivalit konfirmuan se do të ngjitet në skenë aktorja dhe politikania nga Kosova Ardiana Matoshi, emri i të cilës nuk ishte lakuar më herët. Vetë ajo u shpreh entuziaste në lidhje me rolin që i është besuar.

“Do të jem një prezantuese e re, që për herë të parë në jetën time marr pjesë në këtë event. Është një sfidë e madhe për mua, por si person mua më pëlqejnë sfidat. Mezi po pres që të fillojë festivali dhe të kënaqemi me këngët që i keni përzgjedhur. Suksese të gjithëve dhe uroj që të kënaqemi bashkë,” u shpreh Matoshi.

Rikthimi i Elsa Lilës, pas këngës Evita

Një prej konkurenteve më të rëndësishme të kësaj gare është padyshim këngëtarja Elsa Lila, e cila rikthehet në skenën e Festivalit pas një viti, kur kënga e saj Evita, dedikim për vajzën, u vlerësua maksimalisht nga juria, por jo nga publiku. Elsa vjen në skenë pas koncertit recital që mbajti në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, dhe tashmë përflitet si një prej pretendenteve kryesore për ta fituar garën.

Ekipi që do të realizojë festivalin e këtij viti përbëhet nga Bojken Lako, drejtori artistik, Enkel Demi si skenarist, kantautori Elton Deda, regjisori Pali Kuke si dhe deri më tani e vetmja prezantuese e zbuluar deri më tani, Adriana Matoshi. Mbetet për t’u parë nëse deri në fund të Dhjetorit do të ketë të tjera surpriza nga konkurentët në garë, dhe se kush do të jetë përkrahë Matoshit në skenën e madhe të Festivalit, që zgjedh edhe përfaqësimin e Shqipërisë për në Eurovizion.

/Zëri.ai

Poll

MOS HUMB