
GREQI - Kryetarja e Shoqatës së Mjekëve Grekë të Mbretërisë së Bashkuar, Kiki Sonidou, ka folur për operacionin në bark, të cilit iu nënshtrua Kate Middleton, që ka shqetësuar veçanërisht britanikët. Ajo ka paraqitur skenarët më të këqij për shëndetin e saj.
“Nuk dua që të përhap lajme të këqija tani, por patjetër që gjendja e princeshës së Uellsit tregon diçka vërtet të keqe që mund të jetë pankreasi ose zorrët ose ndonjë limfomë. Princesha mund të ketë edhe tumor malinj. Edhe një histerektomi apo një operacion gjinekologjik, nuk zgjat më shumë se dy ditë shtrim në spital në MB. Pra kuptohet se princesha ka diçka që ka gjasa të jetë e komplikuar”, tha zonja Sonidou në një intervistë për ERT.
Duke theksuar se operacioni është kryer në një spital privat të specializuar për kancerin, ajo theksoi: “Nuk është një operacion rutinë, sikur shkon në një spital privat në Londër. Aty në të kaluarën janë trajtuar anëtarë të familjes mbretërore dhe shumë njerëz të famshëm. Spitali ka një ekip të specializuar në kirurgjinë laparoskopike, të cilët janë shumë të mirë në raste të vështira dhe në raste të çuditshme mjekësore."
Doktoresha deklaroi se princesha mund të ketë diçka më të rëndë, nga ajo që është thënë. “Kur një grua e re, në dukje e shëndetshme, do të qëndrojë në spital për dy javë, ndërkohë që ne e dimë shumë mirë që qëndrimet në spital janë shumë të shkurtra në Britaninë e Madhe për të shmangur infeksionet e marra nga spitali, ne e kuptojmë se ajo ka diçka serioze. Thjesht kanë zgjedhur që të mos flasin për këtë publikisht”, tha doktoresha.
Zonja Sonidou nënvizoi se princesha duket se është dobësuar shumë së fundmi dhe ndaj ky është tregues se ajo mund të jetë duke përjetuar një gjendje jo të mirë. “Për Kate, e cila mesa duket, të paktën nga fotot që kanë postuar në Krishtlindje, ishte e shëndetshme, dikush që e vëzhgon duhet të shqetësohet se ajo është mjaft e dobët”, tha Kiki Sonidou.
Në fund, ajo theksoi se çdo publikim tjetër për gjendjen e saj shëndetësore nuk i ndihmon as asaj dhe as fëmijëve të tyre, sepse duhet të parandalohen reagimet ekstreme nga bota, që sigurisht do të ndodhin nëse, mësohet diçka negative për shëndetin e princeshës së Uellsit./ZËRI/