
TIRANË- Arben Dervishi u rikthye sërish në skenë së bashku me kolegen e tij Zamira Kita për shfaqjen “Karnavalet e Korçës”. Aktori prej vitit 2003 është larguar nga Shqipëria dhe është shpërngulur në SHBA. Dervishi, i ftuar në emisionin “Rudina” rrëfeu për jetën e tij në mërgim dhe vështirësitë që ai hasi. Ai tha se ndryshe nga këtu, ka punuar si shofer kamioni dhe punë të tjera të vështira.
“Unë largohem nga Korça pasi bëj një recital me Zamirën si shfaqje përmbledhëse, “Sa ka parë Korça si këto”, dhe ishin 23 shfaqje të dhëna rresht në Korçë me një sallë me 500 se ishte shumë e madhe dhe ti shkon e përplasesh atje që do të bësh punë të ndryshme. Kam bërë pastrime, pastrim lokalesh, ndërtesash, pastaj kur u ktheva herën e dytë unë fillova të punoja shofer mauneje sepse nuk mundje ta mbaje veten me rroga kaq të vogla ndërsa shoferi i maunes ishte një rrogë shumë e mirë. Rrugë shumë të gjata, me një gjuhë copë-copë, pësoje stres, si do të më presin, çfarë do të më thonë kur të shkoj atje, si do ta gjej rrugën, ku do të shkoj unë i ziu, si do të më shkojë kjo makina, ishte një stres i tmerrshëm”, rrëfeu ai.
Ai tregoi se nga lodhja që po përjetonte, filloi të harronte edhe tekstet për shkak të rrugës së gjatë. Më tej ai shtoi se vazhdoi të punoj si shofer për 16 vite, pavarësisht vështirësisë që hasi.
“Madje kur kam ardhur te “Puthja”, te një komedi që më ka thirrur Korça, po të them që nuk mbaja mend tekst, e kisha të tmerrshme ngaqë kisha përjetuar rrugën e gjatë, më hidhërohej goja kur udhëtoja, isha shumë i stresuar, një profesion që ti s’e ke pasur, rrugë që s’i njeh, njerëz që të presin që ti s’di gjuhën. Ishte e tmerrshme. E vazhdova pastaj se u lehtësua dhe ajo punë, e vazhdova 16 vjet. Punova shumë. Në dimrat e tmerrshëm të Miçiganit që bora, rrugët e gjata, koha e gjatë e punës, do të ngriheshe çdo ditë në 4 të mëngjesit”, tha ai.
Më tej, aktori tha se ai tashmë ka hapur një kafene në Miçigan dhe është një nga më të vlerësuarat nga klientët ku edhe fitoi çmimin “Kafja më e mirë” në vitin 2023. /ZËRI