
BERLIN- Kombëtarja spanjolle padyshim që dhuroi emocione të forta për të gjithë tifozët e saj gjatë “EURO 2024”. Skuadra e Luis de la Fuente ishte superiore ndaj shumicës së kundërshtarëve të tyre, megjithëse pati disa momente të vështira për skuadrën gjatë turneut, veçanërisht në çerekfinalen kundër Gjermanisë.
Fati i ndeshjes u përcaktua nga goli i Mikel Merino, por shkaktoi shumë polemika për shkak të një veprimi që të kryer nga Marc Cucurella. Lojtari spanjoll në minutën e 107-të dhe me rezultatin 1-1 bllokoi me dorë goditjen e Jamal Musialës brenda zonës. Pala gjermane pretendoi një penallti, por as gjyqtari në fushë dhe as VAR nuk e konsideruan incidentin si ndërhyrje jashtë rregullave.
Arbitri u kritikua ashpër në Gjermani për këtë penallti të pretenduar dhe tashmë, muaj më vonë, vetë UEFA duket se është dakord me ankesat e tifozëve gjermanë: ndërhyrja duhet të ishte penallti.
Sipas “Relevo”, Komiteti i arbitrave të UEFA-s, në një dokument pas mbledhjes së tij të fundit, në të cilën u analizuan arbitrat e ndeshjeve kryesore ndërkombëtare të muajve të fundit, pranon se gjyqtari anglez Anthony Taylor dhe gjithashtu Stuart Atëell nga VAR-I, gabuan që nuk i dhanë penalltinë Gjermanisë për ndërhyrjen e Cucurella-s.
Në seksionin e vëzhgimeve në lidhje me atë ndeshje, komiteti vëren se duke ndjekur udhëzimet më të fundit të UEFA-s, kontakti dorë më top që ndalon një goditje në portë duhet të ndëshkohet më rreptësisht dhe në shumicën e rasteve duhet të jepet një penallti. Në këtë mënyrë, organi më i lartë i futbollit në Evropë pranon një gabim që për shkak të momentit në të cilin ndodhi dhe rezultatit përfundimtar të asaj ndeshje, mund të kishte ndryshuar tërësisht rezultatin e kompeticionit. /ZËRI